TIRANE- Kryegjyqtari i Pukës Shtjefën Lleshi, prokurori i këtij rrethi Pëllumb Prençi dhe 5 zyrtarë të tjerë, mes tyre kancelarja, sekretarja dhe avokatët mbrojtës janë marrë të pandehur dhe çështja e tyre i ka kaluar gjykatës së Tiranës për shqyrtim. Lajmi konfirmohet nga burime pranë njësisë hetimore Task-Forcë, të cilat thanë se 7 zyrtarët Shtjefën Lleshi, Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Fariz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi, u është komunikuar akuza e korrupsionit dhe ajo e ndikimit të paligjshëm të personave që kanë funksione publike.

Dosja hetimore është nisur me iniciativë të prokurorisë së Tiranës, pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ Fiks-Fare, ku tregohen marrja e një shumë financiare prej 5 milion lekë të vjetra për llogari të prokurorit dhe gjyqtarit, në këmbim të lirimit të një personi që ishte arrestuar gjatë protestës së 19 prillit 2013 në Fushë Arrëz. Çështja shkoi deri në gjykatën e Lartë ku njëri nga avokatët Fran Dashi, përmendi dhe emrin e kryegjyqtarit Xhezair Zaganjori.

5 milion lekë
Sipas prokurorisë pas kalvarit të gjatë me sekserët dhe bisedimeve të shumta midis sekretares dhe kancelares së kreut të gjykatës, bëhet dhe dorëzimi i lekëve për llogari të shefit të tyre. Sekretarja e kryetarit të Gjykatës së Pukës, Liliana Shkjau dhe kancelarja e gjykatës së Pukës, Meliha Kuka marrin në emër të gjyqtarit të çështjes, Shtjefën Lleshi dhe prokurorit Pëllumb Prençi pesëqindmijë lekë të reja për të ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin nga arrest në burg pa afat në detyrim për paraqitje.

Familjarët e të pandehurit u dorëzojnë dy punonjëseve të gjykatës së Pukës 2900 dollarë amerikanë dhe 210 000 lekë të reja për të plotësuar shumën prej 500 000 lekësh, sa c’ishte kërkuar për llogari të prokruroit dhe gjyqtarit të çështjes për lirimin e të arrestuarit. Sekretarja dhe kancelarja kanë numëruar disa herë deri në qindarkën e fundit dollarët dhe lekët edhe pse kanë patur pak vështirësi në kursin e këmbimit të dollarëve.

Lirimi nga qelia
Pasi kanë marrë shumën financiare prej 5 milion lekë në seancën gjyqësore me të pranishëm gjyqtarin Shtjefën Lleshi,prokurorin Pëllumb Prençi dhe sekretaren Liljana Shkjau, prokurori i çështjes shpjegon se nga hetimet e kryera deri në shtator 2013 nuk është provuar akuza për të cilin i pandehuri mbahet në burg për gati 6 muaj dhe pranon kërkesën e avokatit të të pandehurit për ndryshim të masës së sigurisë.

Në këtë seancë gjyqësore prokurori pranon se i pandehuri nuk ka goditur dhe as ka tentuar të godasë punonjësin e policisë gjatë protestës në Fushë Arrëz, akuzë për të cilën ai kishte qëndruar në paraburgim për muaj të tërë.Më tej kjo çështje ka vijuar dhe me disa raste të tjerë, ku janë përfshirë dhe të pandehurit Meliha Kukaj, Fran Dashi, Fariz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi.
 
Të pandehur
  1. Shtjefën Lleshi
  2. Pëllumb Prençi
  3. Liljana Shkjau
  4. Meliha Kukaj
  5. Fran Dashi
  6. Fariz Xhurxhi
  7. Dëfrim Prençi

Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)