TIRANE - Prokurori i Përgjithshëm deklaron se po bëhet investigim i thelluar lidhur me pastrimin e parave që gjenerojnë në fushën e ndërtimeve.

"Hetimet kundër korrupsionit, informalitetit në fushën e ndërtimeve dhe krimit të organizuar kanë orientuar prokurorinë shqiptare drejt investigimit të thelluar lidhur me pastrimin e parave që gjenerojnë nga këto aktivitete të paligjshme.”- tha  Adriatik Llalla, e bëri gjatë një bisede me Ambasadoren e Republikës së Francës në Shqipëri, znj. Christine Moro dhe Drejtorit të TRACFIN (agjencia kundër pastrimit të parave, Francë),  Jean-Baptiste Carpentier.
 
Zyrtarët francezë diskutuan me Llalla mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm, pak momente para takimit të zgjeruar, në të cilin u prezantua një përmbledhje e aktivitetit dy-vjeçar të TRACFIN në mbështetje të autoriteteve shqiptare lidhur me luftën kundër pastrimit të parave.
 
“Duhet të pranojmë se përballja me veprat penale të natyrës ekonomike është e ndërlikuar dhe sfida vijon të mbetet e hapur. Personat e përfshirë në to, tentojnë të penetrojnë në veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe synojnë të gjejnë mbështetje te funksionarë publikë. Ky është një mekanizëm që funksion në shumë vende të botës dhe, natyrisht, edhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull paligjshmërie”- tha Llalla.
 
Më tej, theksohet se “falë nismës gjithëpërfshirëse të organit të prokurorisë në luftën kundër ndërtimeve të paligjshme, hetime po thellohen mbi burimin e krijimit të tyre. Pikërisht, ky është objektivi ynë kryesor, i cili natyrisht ecën krahas hetimeve për abuzimin me detyrën nga ana e funksionarëve lokalë për dhënien e lejeve të ndërtimit”.

Në të njëjtën linjë “po veprohet edhe me hetimet lidhur me trafikun e lëndëve narkotike në sasi të mëdha, për të provuar qarkullimin e parave të rrjedhura nga ky aktivitet i paligjshëm në sipërmarrje të ndryshme private. Gjithashtu, edhe të ardhurat e krijuara nga korrupsioni janë një tjetër objekt, i cili po hetohet lidhur me pastrimin e parave”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.
 
Në takim ishte dhe drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnan Xholi, zv.ministri i Brendshëm, z. Ilir Mustafaraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Genti Gazheli.

(Ne foto: Takimi i sotem në Prokurori i Llalles me ambasadoren franceze)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)