Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi sot se korrupsioni në Shqipëri është kthyer në një sistem të mirëfilltë si pasojë e qeverisjes socialiste dhe nuk mund të eliminohet vetëm përmes përmirësimit të ligjeve.
Sipas saj, lufta kundër korrupsionit është më shumë se një kusht i procesit të integrimit europian dhe lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e ekonomisë, emigracionin masiv, largimin e të rinjve dhe humbjen e shpresës.
Tabaku thekson se korrupsioni ka çuar në kapjen e ekonomisë në pak duar, pastrimin e parave dhe ka pwrkeqwsuar situatën sociale, ndaj rrjedhimisht ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë kur është vetë sistemi ushqen korrupsionin.
“Lufta kundër korrupsionit nuk është veçse një prioritet në procesin e integrimit, është më shumë se kaq. Korrupsioni është arsyeja kryesore për situatën e ekonomisë sot, është arsyeja kryesore për kapjen e ekonomisë në pak duar, për largimin e të rinjve, për emigracionin masiv, për humbjen e shpresës, pastrimin e parave, është pikërisht korrupsioni që ka sjellë këtë. A mund të ndryshojë kjo me përmirësime ligjore? A mund të ndryshojë kjo përmes një platforme kombëtare duke e bërë luftën ndaj korrupsionit prioritetin kombëtar? Sigurisht të gjitha janë të rëndësishme. Unë besoj se ka arritur një moment që sado të përmirësojmë ligjet, sistemi i ngritur është i tillë që i jep frymë korrupsionit. Ja një shembull: ligji i ri i koncesioneve dhe PPP-ve. Kishim një ligj tjetër në vitin 2017 dhe një ligj tjetër në vitin 2023. Po të njëjtat problematika. Këtë kanë treguar rasti i koncesioneve në rrugë, rasti i energjisë, i AKSHIt, se sado që të jetë i mirë ligji nuk e parandalon korrupsionin nëse ai është kthyer në sistem siç është kthyer në shqiperi. Një sistem që fatkeqësisht sot ka kapur çdo qelizë dhe ekonominë. Sado të mira t’i bëjmë ligjet, sado t’i përmirësojmë ato me standardet europiane, korrupsioni do të jetë atje prej sistemit që kanë ngritur qeveria socialiste. Një sistem që fatkeqësisht ka kapur të gjithë ekonominë dhe që mbahet peng i një qeverisje e cila ka rënë dhe moralisht. Ky sistem ikën po iku kjo qeveri” thotë Tabaku.
Komente







