Në Kuvendin e Shqipërisë po shqyrtohet projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili ka shkaktuar diskutime mes deputetëve, lidhur me përfshirjen e shoqërisë civile dhe mbështetjen financiare për sportin.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti shqetësimin për përjashtimin e organizatave jofitimprurëse, duke vënë në pikëpyetje nëse ndryshimet i përgjigjen nevojave reale të sektorit.

Ajo theksoi se ligji për sponsorizimin e sporteve duhet të ishte bërë me kohë, por shtoi se sërish problemi që sporti në Shqipëri ka sot, nuk mund të zgjidhet.

“Ndryshimet bëhen për klubet apo për sportin? Bëhen duke pasur parasysh nevojat që ka qeveria apo sektori? Sepse të lësh jashtë të gjithë shoqërinë civile është keqdashësi. Shpresoj shumë të jetë nga nxitimi. Sponsorizimi i sporteve duhej bërë me kohë, por nuk e zgjidh problemin që ka sot sporti shqiptar”, tha mes të tjerash deputetja Jorida Tabaku.

Edhe deputeti Eno Bozdo kërkoi shpjegime për mospërfshirjen e donacioneve për OJF-të dhe mungesën e konsultimit me 34 organizatat që kanë bërë një letër publike.

“Pse nuk janë përfshirë donacionet për organizatat jofitimprurëse? Pse nuk janë konsultuar 34 organizatat që kanë bërë një letër publike?”, tha mes të tjerash deputeti Eno Bozdo.

Nga ana tjetër, ministrja e Administratës Publike,  Adea Pirdeni deklaroi se janë marrë parasysh më shumë se 60% e komenteve të paraqitura nga organizatat e shoqërisë civile.

“Janë marrë parasysh mbi 60% e komenteve të parashtruara nga organizatat e shoqërisë civile”, tha mes të tjerash ministrja Adea Pirdeni.

Në mbrojtje të nismës, deputeti Taulant Balla theksoi se projektligji synon t'i japë përparësi sportit, veçanërisht futbollit, duke përfshirë edhe artin e kulturën.

Ai bëri të ditur se skema parashikon që rreth 3 miliardë lekë, ose 33 milionë euro, të ardhura nga TVSH-ja, nga të cilat shteti do të heqë dorë, të përdoren për sponsorizimin e aktiviteteve sportive.

Sipas Ballës, sporti duhet parë si një aktivitet me rëndësi publike dhe jo thjesht si një sipërmarrje private, ndërsa vëmendje e veçantë sipas tij duhet t'i kushtohet përfshirjes së të rinjve në aktivitete sportive.

“Nisma e përbashkët bashkë me kolegun tim Braçe e ka zanafillën që një vit më parë, kur kolegu Braçe kishte propozuar një ndryshim. Tani nisma është e plotë në ligjin për sponsorizimet dhe qeveria e pasuroi atë me shumë dimensione të vlefshme për zgjedhjet, por edhe për pjesën që lidhet me detyrimet që kanë subjektet, por edhe pjesa që lidhet me donacionet. Unë nuk e fsheh që qëllimi ynë ka qenë shumë i qartë, sporti. Padyshim për të ruajtur edhe normën e barazisë, kemi përfshirë edhe artin e kulturën. Ja kemi bërë të ditur edhe ministrit që do ketë detyrën e zbatimit, që ne duam që prioritet të jetë sporti dhe si një përqindje brenda së tërës të tjetë sporti dhe në mënyrë të veçantë Futbolli. Ne i jemi referuar modeleve më të suksesshme dhe e kam parë me sytë e mi si tifoz futbolli që Hungaria e ka aplikuar këtë me shumë sukses.

Ta shohim me syrin e dëshirës së mirë për të bërë mirë për sportin. Këto janë para publike. Shteti ka vendosur që të heqë dorë nga mbledhja e një sasie të caktuar të TVSH-së, që në ndryshimet që pësoi në komision do të jetë 3 miliardë lekë, ose 33 milionë euro dhe këto para do të jenë si referencë për të sponsorizuar aktivitete sportive. Dhe besoj që ju zonja Tabaku si një tifoze e Tironës ta mbështesni, sepse është mëse e sigurit që Clubi Tirana do të jetë përfitues. Personalisht vëmendjen kryesore e kam te mosha. Futbolli nuk është një aktivitet privat, por një aktivitet publik. Sporti është aktivitet publik. Nuk duhet ta shohim atë si një sipërmarrje private të një Presidenti Futbolli që vendos një ditë që një pjesë të të ardhurave të veta t’i çojë dëm, por si një prej aktiviteteve më të rëndësishme që ndodh në çdo qytet të vendit. E kam eksperiencë personale me tim bir, angazhimi me sport është investimi më i mirë që kemi bërë ne si familje te djali”, tha mes të tjerash Balla.