Prokuroria e Përgjithshme sekuestron 50 mijë euro në llogaritë bankare të Odhise Andreas bashkëshortit të gjyqtares së lartë Majlinda Andrea, të dy nën hetim për veprën penale të korrupsionit.
 
Sekuestro është vendosur këtë të mërkurë në dy banka të nivelit të dytë në kryeqytet aty ku në llogaritë e Odhise Andreas janë gjurmuar paratë në dy numra llogarie me një vlerë prej 50 mijë euro.
 
Sipas akuzës shuma e sekuestruar është e njëjtë me atë të cilët çifti i bashkëshortëve Andrea janë nën hetim për veprën penale të korrupsionin të gjyqtarit.
 
Prokuroria prej më shumë se 10 ditësh ka shpallur në kërkim Odhise Andrean pasi dyshohet se ai i mori Eleni Linos dhe Ilia Cabias 50 mijë euro me marrëveshjen se bashkëshortja e tij gjyqtare do të jepte vendimin gjyqësor për pronën në favor të tyre.
 
Gjyqtarja Majlinda Andrea është pezulluar, ndërkohë është shpallur në kërkim Odhise Andrea, i cili mbante detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë. 

Për personat e përfshirë në korrupsion gjykata vendosi pak ditë më parë që vetëm Eleni Lino të hetohet në masën arrest shtëpie, ndërsa Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi u lanë në arrest me burg.
 
Ilia Çabiri dhe Eleni Lino në cilësinë e përfituesit të pronës, përmes Petraq Dashi që ka shërbyer si sekser i dorëzuan 50 mijë Euro burrit Odhise Andreas për vendimin në favor të tyre. 

Dosja, 50 mijë euro për 40 hektarë tokë
Nga hetimi rezulton se Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e pronësisë mbi një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit. Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë.

I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea.

Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.
 
Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.

Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.

Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12 korrik 2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino. 


d.b/shqiptarja.com