Kryeprokurori kroat, Dinko Cvitan ka kryer sot një seancë trajnimi me Prokurorët e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Kryeprokurori kroat, i cili njihet si hetuesi i "hekurt", pasi gjatë punës së tij ka urdhëruar arrestimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader, ka mbërritur dy ditë më parë në Tiranë, ku dhe ka kryer një sërë takimesh.
Fillimisht ai është takuar me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe me Kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Ndërsa, mëngjesin e sotëm ai ka ngjitur shkallët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të zhvilluar një seancë trajnimi me në fokus veprën penale të "korrupsionit të zyrtarëve të lartë", dita e parë e të cilit zgjati rreth 120 minuta me hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe që vjen me mbështetje të misionit Euralius, program që i po jep një ndihmë të vyer qeverisë shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi.
Cvitan ka mbërritur në Shqipëri nëpërmjet zyrës së BE-së dhe programin Euralius dhe trajnimi i tij do të zgjasë rreth dy ditë. Ky trajnim vjen në kuadër të ndryshimeve ligjore në vendin tonë, ku veprat penale që lidhen me korrupsionin në të gjitha nivelet, edhe ajo e zyrtarëve të lartë, tashmë hetohen dhe gjykohet nga prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda.
Mbërritja e Cvitan në vendin tonë dhe trajnimi në fjalë, është një mundësi e mirë për hetusit shqiptarë për të vjelë sa më shumë nga ekspereenca e vendeve më të zhivlluara dhe me një eksperiencë më të madhe në konsolidimin e drejtësisë. /atsh/