Korrupsioni, pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, sipas deputetes së PD-së Jorida Tabaku, janë kthyer në rreziqe për sigurinë kombëtare dhe në porta për ndërhyrjet e huaja. Këtë mesazh ajo e dha në konferencën ndërkombëtare “Përballja me ndikimin autoritar”, të organizuar nga International Republican Institute (IRI).
Sipas Tabakut, ndërhyrjet e huaja nuk varen vetëm nga aktorët e jashtëm, por gjejnë terren aty ku institucionet janë të dobëta, tolerohet korrupsioni, mungon transparenca dhe qytetarët humbasin besimin te shteti.
“Nuk janë vetëm aktorët e jashtëm problemi. Ndërhyrja e huaj funksionon vetëm aty ku institucionet janë të dobëta, ku korrupsioni tolerohet, ku mungon transparenca dhe ku qytetarët humbasin besimin tek shteti”, u shpreh ajo.
Tabaku tha gjithashtu se ekonomitë e hapura nuk duhet të jenë ekonomi të pambrojtura, duke theksuar se siguria ekonomike, energjetike, teknologjike dhe transparenca financiare janë pjesë e sigurisë kombëtare.
Në përfundim, deputetja e PD-së u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që vendet e rajonit të vlerësohen mbi bazën e zbatimit të reformave dhe jo të premtimeve.
“Ndërhyrja e huaj tërhiqet nga dobësia. Përgjigjja më e fortë që mund të japë një demokraci është ndërtimi i rezistencës përmes transparencës, shtetit të së drejtës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve tek institucionet”, përfundoi Tabaku.
Komente










