Kosmet put

Kosmet put
Sa mirë që nuk po ndalet festa. Këngët, të përcjella me tingujt e lahutës dhe të gajdes, nuk kanë pushuar që nga lajmi i gëzuar, i cili erdhi javën e kaluar nga Brukseli. Nejse, lajmi i mirë nuk ishte për Kosovën, as për shqiptarët. Por, për Serbinë. Mirëpo, siç ka thënë ai i moçmi: si fitoi Serbia si s’fituam ne – e njëjta gjë është.

Prandaj, edhe ne duhet të ndihemi mirë.

“Serbia i ka plotësuar të gjitha kushtet që të mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Unë i ftoj vendet anëtare që më së largu në janar 2014 të nisin zyrtarisht këto bisedime”, ishte porosia që erdhi të martën nga shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Ajo që na bëri të ndihemi me humor jo të mirë ishte se lajmi në medie u shoqërua vetëm nga fotoja e zonjës Ashton. Sikur u mohua kontributi i udhëheqësve serbë, por edhe ndihma e atyre të rajonit.

Serbisë i lumtë! Për të plotësuar kushtet ka punuar fort, jo vetëm tani, por qe një çerek shekulli. Punën e saj e ka përqendruar në tri drejtime, të cilave BE i kushton vëmendje të jashtëzakonshme: infrastrukturë, ambient dhe fqinjësi e pushtet lokal.

Sa i përket infrastrukturës, qeveria serbe, jo vetëm kjo aktualja, por edhe ato të mëhershmet, kanë realizuar projekte të rëndësishme. Por, duhet veçuar rregullimet që janë bërë në rrugët: Çyshku, Suhareka, Meja, Krusha, Bellacerka, Izbica, Reçaku, Llashtica, Obria, Prekazi… Lista është e gjatë. E pafund. Tërë kësaj ndërmarrjeje, fqinji ynë i ka vënë një emër me shumë simbolikë: “Kosmet Put”.

Punë të mëdha, regjimet në Beograd kanë bërë edhe për ambientin e pastër. Përpjekjet, kryesisht janë përqendruar në pastrimin e Danubit nga automjetet e komunikacionit rrugor, sidomos ato transportuese dhe frigoriferike. Misioni, i cili thuhet të mos jetë kryer 100 për qind, meqë besohet se nuk janë hequr disa blloqe betoni (për të cilat në qarqe të ndryshme përflitet se janë hedhur në lumë), është pagëzuar me emrin “PIK Progres – Prizren”. Kur jemi te ambienti, autoritetet serbe i kanë kushtuar vëmendje edhe pastrimit të ajrit, duke mbyllur krematoriume ndotëse. Kësaj ndërmarrjeje i ka vënë emrin “Maçkatica”.

Serbia ka bërë gjithçka për të pasur edhe fqinjësi të mirë, meqë edhe kjo është një kërkesë e rëndësishme e BE-së. Madje, ka krijuar aso fqinjësie në raport me Kosovën sa liderët serbë hyjnë e dalin bash kur të duan. Fqinjësinë e mirë, Beogradi e ka futur në një pako me pushtetin lokal dhe sigurinë e serbëve jashtë territorit zyrtar. Operacionit, të cilin e ka realizuar me sukses, i ka vënë emrin “337 MUP-ovcët”.

Nuk ka dyshim që Serbia e ka arritur këtë sukses, pra të marrë dritën jeshile për fillimin e bisedimeve me BE-në, me punë të pandalshme, ditë e natë. Ditën, duke punuar nën dritën e Zotit, e natën në dritën e llambave prej kafke. Shpikës i këtij lloji të llambave është një polic, i cili zanatin e kishte marrë gjatë shërbimit në Kosovë, ku edhe kishte dhënë kontributin për evropianizimin e Serbisë.

Në këtë situatë, Serbia nuk kishte si të ishte mosmirënjohëse për ata që e ndihmuan në rrugën e saj të integrimeve. Për këtë arsye, ajo ka vendosur që në shenjë mirënjohjeje për mbështetje të vazhdueshme, fqinjët e saj shqiptarë t’i nderojë me emrin e një prijësi të këtyre të fundit, por të një periudhe të mëhershme. Pra, një rruge të Beogradit së shpejti do t’i vihet emri “Rr. Esat Pashë Toptani”.

Kurse, për përkrahjen e Brukselit, autoritetet serbe janë më mëdyshje se cilin personalitet ta nderojnë. Normalisht, merita ka kryediplomatja Catherine Ashton. Por, në pritje të caktimit të personalitetit, me emrin e të cilit do të nderohet një rrugë beogradase, regjimi demokratik serb po e mban si alternativë emrin “Sramota Evrope”.

E rruga evropiane e ndjekur nga Serbia duhet të jetë leksion për drejtuesit e vendeve fqinje. Sidomos për Kosovën, qytetarët e të cilës po trajtohen si aso qeniesh të denja për kafaz.

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 35 vjeçari (EMRI)

Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 35 vjeçari (EMRI)