Ministri kosovar i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe homologu shqiptar, Erion Veliaj, nënshkruan sot në Prishtinë tre marrëveshje bashkëpunimi në fushën e punësimit, aftësimit profesional dhe pensioneve.

Gjatë takimit të zhvilluar, ministrat Abrashi dhe Veliaj me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe integrimit në fushën e punësimit, aftësimit profesional dhe pensioneve mes dy vendeve, diskutuan dhe u pajtuan për modalitetet dhe hapat që duhet ndërmarrë në vitin 2015.

Dy ministrat diskutuan edhe për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e aftësimit profesional, veçanërisht në komunat që shtrihen në zonën kufitare. Gjithashtu u diskutua dhe u dakordua që pala kosovare të angazhohet në heqjen e lejës së punës për qytetarët shqiptarë, si masë reciprociteti për atë që qeveria shqiptare tashmë e ka bërë për qytetarët e Kosovës.

Ministri Abrashi dhe Veliaj ritheksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si përcaktim i dy vendeve që aspirojnë integrimin evropian dhe ky forcim bashkëpunimi shpreh vendosmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës që të avancojnë këtë proces.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)