Kosova, 4 – 5 muaj pas zgjedhjeve, në pritje të zhvillimeve pas kërkesës për sqarime të Kushtetueses

PRISHTINË- Në Kosovë u bënë plot katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, ndërsa vazhdon pritja e gjatë drejt krijimit të institucioneve në pritje edhe të zhvillimeve pas kërkesës më të re për sqarime të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit.
Kërkesa e djeshme e Presidentes së Republikës së Kosovës për t'iu drejtuar ajo Gjykatës Kushtetuese është nënshkruar nga tre liderë të subjekteve politike parlamentare të koalicionit paszgjedhor, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe Fatmir Limaj, kryetar i Nisma-s.
"Duke pasur parasysh rolin tuaj kushtetues, i cili ju detyron të siguroni funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës dhe duke konsideruar se si përfaqësuese e unitetit të popullit mund të kontribuoni në konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit, pas konsultimeve tona të vazhdueshme me ju dhe kërkesën tuaj që ne të dalim me propozim, kërkojmë nga ju që t'i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar si mund të zbatohet Aktgjykimi nr. KO.119/14 në rrethanat që janë krijuar", theksojnë ata duke prezantuar edhe "disa nga rrethanat faktike që duhet të shqyrtohen".
Kërkesa e koalicionit paszgjedhor, LDK-AAK-Nisma, që Presidentja Jahjaga t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë të pikës 127 të Aktgjykimit të saj, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, që u referohet shtypi i sotëm në Prishtinë, mund të ketë fatin si ajo e deputetëve të komuniteteve pakicë ditë më parë, pasi "nëse presidentja do të merrej me këtë çështje do të ishte standard i dyfishtë, prandaj dhe do ta refuzojë".
Në 20 tetor, 17 nga 20 deputetët e komuniteteve pakicë i janë drejtuar po ashtu me një shkresë zyrtare Presidenes së Republikës që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese sqarim në pikën 127 të Aktgjykimit, ku thuhet se, "është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional".
Por, një ditë më vonë u njoftua se, Presidentja e Republikës nuk do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë rreth pikës 127 të aktvendimit të këtij organi, ashtu siç kishin kërkuar deputetët e komuniteteve pakicë.
Në përgjigjen e Presidentes, mes tjerash, është thënë se, "në kohën kur po e testojmë demokracinë tonë të brendshme dhe gjithashtu edhe pjekurinë tonë politike, duke mos dashur që të sfidojmë procedurat e mëtejshme ligjore, që do të mund të zvarrisin gjithë procesin e ndërtimit të institucioneve dhe të thellojnë ndasitë e krizat, është përgjegjësi dhe obligim i deputetëve të Kuvendit që me mirëbesim, mirëkuptim, me kompromis si pjesë e kulturës së dialogut, të gjejnë zgjidhjen e cila do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse".
Koalicioni parazgjedhor, fitues i zgjedhjeve të para më shumë se katër muajve, 8 qershorit, ka të drejtën për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave, ndërsa koalicioni paszgjedhor ka votat dhe kërkon të drejtën për të zgjedhur "në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare".
Presidentja Jahjaga, e cila ka zhvilluar shtatë raunde takimesh me liderët e partive politike parlamentare e pritet të zhvillojë edhe të tjera në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve, ka theksuar se, "zgjidhja e shpejtë e nyjës institucionale do t'i mundësonte Kosovës që të përmbushë obligimet e saj karshi qytetarëve të vendit por edhe bashkësisë ndërkombëtare dhe do të përshpejtonte rrugën evropiane të saj".
Ajo është shprehur se "liderët e partive politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje konform kuadrit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës"./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën