TIRANË, 28 Maj/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe nën kujdesin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u çel sot dita e parë e konferencës së 10-të të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë.
E organizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në këtë Konferencë ishin të pranishëm kryetarët dhe përfaqësuesit e Këshillave Gjyqësore të Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Italisë, Bullgarisë, Rumanisë, Turqisë, Bosnje Hercegovinës dhe Moldavisë si dhe për herë të parë, të Kosovës.
Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh se, "organizimin e këtij aktiviteti në Shqipëri e shoh si një rast shumë të mirë për të shkëmbyer ide dhe përvoja pozitive që i shërbejnë procesit të reformimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve si një nga parimet bazë të kushtetutave moderne u jep mundësi tri degëve të qeverisjes (legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit), që jo vetëm të respektojnë njëra-tjetrën në ushtrimin e funksioneve të tyre, por edhe të kontrollohen e ndihmohen në mënyrë të ndërsjellë me qëllim funksionimin sa më mirë të qeverisjes së vendit".
Në këtë linjë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi se, "dy janë sfidat kryesore me të cilat po përballet gjyqësori në Shqipëri: Nga njëra anë, mbrojtja dhe forcimi i pavarësisë, integritetit, profesionalizmit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve në marrjen e vendimeve. Nga ana tjetër, lufta pa kompromis kundër korrupsionit në radhët e tyre, një sëmundje që gërryen dhe kompromenton jo vetëm pushtetin gjyqësor si të tillë, por dëmton rëndë qeverisjen si dhe sistemin politik dhe juridik në vend.
"Reformat në këtë sistem janë të domosdoshme në radhë të parë për të rritur besimin e qytetarëve në dhënien e drejtësisë. Ato duhet të synojnë evidentimin me qëllim marrjen e masave për parandalimin edhe shmangien e të gjitha dukurive negative që ushqejnë korrupsionin, ndërhyrjet, presionet, njëanshmërinë, paaftësinë në radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Ndërmarrja e nismave për forcimin e kritereve të përzgjedhjes së gjyqtarëve, promovimin në karrierë për forcimin e kontrollit ndaj veprimtarisë së tyre si nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ashtu edhe nga Gjykata e Lartë, reformimi i këtyre të fundit, shmangia e zvarritjeve, përmirësimi i shërbimeve gjyqësore, ekzekutimi në tërësi dhe brenda afateve të arsyeshme i të gjitha vendimeve gjyqësore, janë disa masa në drejtimin e duhur për të pasur në të ardhmen një pushtet gjyqësor vërtet të pavarur, me integritet dhe të paanshëm", tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori në fjalën e tij tha se, institucionalizimi i këtij rrjeti për vendet anëtare të tij përbën një ngjarje të rëndësishme duke qenë se është një strukturë me natyrë ndërkombëtare e cila do të mbështesë dhe promovojë parimet themelore të pavarësisë së gjyqësorit dhe eficencës së tij, do të inkurajojë dhe lehtësojë bashkëpunimin e këshillave gjyqësore të vendeve anëtarë si dhe do të krijojë dhe elaborojë qasje apo praktika te ngjashme ndaj problemeve që kanë sistemet gjyqësore në vendet respektive. Në këtë kuadër, këshillat Gjyqësore duhet të aftësohen për të nxitur dhe mbështetur ato politika që i shërbejnë mbrojtjes, zhvillimit dhe konsolidimit të pushtetit gjyqësor, në pajtim me standardet ndërkombëtare të cilat i japin mundësi për vetë-organizim, vetë-menaxhim dhe vetë-disiplinim sa më efikas, me qëllim për të përfaqësuar dhe mbrojtur me dinjitet interesat e gjyqësorit".
Në këtë linjë Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh se "në aktivitetet e këtij rrjeti, është e nevojshme të adresohen çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me mirëadministrimin e gjyqësorit. Temat që paraqesin interes të përbashkët duhet të trajtohen, diskutohen dhe elaborohen në formë qëndrimesh, rekomandimesh, praktikash të mira për t'u marrë në konsideratë nga shtetet anëtare. Ne kemi një trashëgimi të përbashkët juridike, e frymëzuar nga standarde dhe vlera te përbashkëta dhe që janë pikërisht këto vlera që duhet të shërbejnë si bazë për të çuar me tej forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve pjesëmarrëse në këtë rrjet dhe për të shtuar përpjekjet tona në drejtim të përvetësimit dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare në sistemet gjyqësore respektivë".
Në këtë konferencë përshëndetën gjithashtu, edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço, Shefi i Seksionit Politik dhe Ekonomik i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Clive Rumbold dhe Shefi i Misionit EURALIUS IV, Rainer Deville.
Në përfundim të punimeve të sesionit të parë të Konferencës së 10-të të rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, anëtarët e këtij rrjeti votuan pro anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota./m.m/








