Kosova do të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj

Kosova do të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj

Kosovë

Autoritetet në Prishtinë thanë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA dhe jo më nga misioni i UNMIK-ut, siç ka ndodhur deri më tani.

“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e Komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës Jeton Zulfaj tha se vendi do të përfaqësohet me fusnotë.

“Përfaqësimi rajonal ende është me asterisk, kjo është nga viti 2012 dhe siç e dini në vitin e kaluar me marrëveshjen e re që kemi, marrëveshjen bazike ajo adreson pastaj në nivel horizontal çështjen e asteriskut”, tha ai.

Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta linte atë jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Autoritetet në Kosovë hapën të martën vendkalimin kryesor kufitar në Merdarë për hyrjen e mallrave nga Serbia, më shumë se një vit pasi ndaluan importet si një masë sigurie, pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore. Qeveria tha se masat nuk kanë qenë asnjëherë tregtare.

Zyrtarët gjermanë që kanë qenë të përfshirë në arritjen e marrëveshjes thanë se organet e CEFTA-s vendosën ndryshimin e rregullores së punës dhe miratimin e disa vendime të rëndësishme.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po afrohen më shumë me njëri tjetrin. “Në Procesin e Berlinit ne arritëm të zgjidhim nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA së bashku. Duke bërë këtë, ne po hapim rrugën për përmirësime konkrete për njerëzit në terren”, shkroi ai.

Më 14 tetor pritet të mbahet takimi i radhës së Procesit të Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit. Procesi është një nismë e hedhur nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari