/ATSH-Behlul Jashai/.-Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për t'i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi Raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se gjatë muajve të fundit janë mbajtur disa takime dhe se janë bërë përpjekje që të sqarohen të gjitha çështjet dhe që të mos mbetet asgjë pa u sqaruar. "Nw këto takime që janë mbajtur janë interesuar se a ndryshon sipërfaqja e Republikës së Kosovës me rastin e përcaktimit të këtij kufiri. "Komisioni ka dëshmuar se sipërfaqja nuk ndryshon për asnjë centimetër katror", tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar nga kryetari i Komisionit që edhe një herë ta vërtetojë këtë para qeverisë, duke përfshirë edhe faktet se nuk ndryshon sipërfaqja e komunës së Pejës" tha Mustafa.
Ndërsa, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka theksuar se në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, për tre vite me radhë ky Komision ka hulumtuar, mbledhur, shqyrtuar dhe analizuar gjithë informacionin, hartën dhe dokumentacionin për vijën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. "Përgjatë gjithë kësaj kohe janë ngritur debate me ekspertë, me zyrtarë të lartë të qeverisë së Republikës së Kosovës, me kryetarë komunash dhe këshilltarë të komunave të brezit kufitar me Malin e Zi, si komunat e Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut, si dhe me banorë në terren pranë zonave kufitare. Në bazë të Raportit të Punës së Komisionit Shtetëror, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit, dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se Komisioni Shtetëror garanton se me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk tjetërsohet asnjë milimetër katror i territorit të Republikës së Kosovës", tha zëvendëskryeministri Thaçi.