Kosova e shqetësuar pas dorëheqjeve të policëve serbë, akuzon Serbinë

Kosova e shqetësuar pas dorëheqjeve të policëve serbë, akuzon Serbinë

Ushtarë të KFOR-it

Diplomatët perëndimorë kanë reaguar të shqetësuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Policisë së Kosovës. Prishtina zyrtare akuzon Beogradin për dorëheqjet e policëve serbë.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin për dorëheqjet që po ndodhin mes policëve të komunitetit serb në Kosovë. 7 policë të rinj serb së fundmi dhanë dorëheqje, vetëm një muaj pasi morën detyrën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hodhi akuza në drejtim të Beogradit duke thënë se "si rezultat i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme të Beogradit”, policët po japin dorëheqje.

Kosova akuzon Beogradin për presion

"Dorëheqja e zyrtarëve policorë nga komuniteti serb është rezultat direkt i kërcënimeve të vazhdueshme dhe frikësimeve nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviq. Ne do të vazhdojnë të ofrojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë të sigurt për të gjithë”, shkroi Osmani në rrjetin social.

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla  u shpreh, se "policët serbë po detyrohen të japin dorëheqje”. "Zyrtarët e policisë po detyrohen të japin dorëheqjen përmes kërcënimeve dhe presioneve nga institucionet e Beogradit. Në këtë mënyrë ata po dëmtojnë qëllimisht komunitetin serb në Kosovë dhe po cenojnë sovranitetin tonë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë”, shkroi Svecla.

Dorëheqjet e policëve serbë kanë shkaktuar reagime të komunitetit ndërkombëtar. Kreu i misionit të BE-së për polici dhe drejtësi në Kosovë EULEX, Giovanni Pietro Barbano, tha se policët që dhanë dorëheqje i ishin bashkuar së voni Policisë së Kosovës."EULEX po përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë për të cilën ata shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë për sigurinë e komuniteteve të tyre përmes patrullimit”, shkroi Giovanni në X, që më herët njihej si Twitter.

Shqetësime të ndërkombëtarëve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se "një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin, duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime”, shkroi ambasadori Rohde. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili tha se "po i përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese”. "Ne ritheksojmë përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t'iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai në X.

Nëntorin e vitit të shkuar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë në komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. E gjithë kjo në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato Republikës së Kosovës. Më pas, autoritetet kosovare shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj dhe në një muaj më parë me 14 korrik, 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë filluan punën në Policinë e Kosovës. Nga ky numër, 46 i përkisnin vetëm komunitetit serb./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar