TIRANE, 22 Janar/ATSH/- Zhaneta Byberi nga Tirana dhe Artnesa Krasniqi nga Gjakova janë dy shqiptaret në garën e sivjetshme, të 63-të të Miss Universe. Gara do të mbahet me datë 25 janar ndërsa vajzat janë në Florida të Amerikës, atje ku edhe do të zhvillohet konkursi.
Njëra është 19 vjeçare ndërsa tjetra 22. Të dyjat janë të bukura dhe duket prej fotografive se po kalojnë kohë të mirë në Amerikë.
Zhaneta është me origjinë nga Tropoja dhe aktualisht është modele për "Grace Models", ndërsa Artnesa Krasniqi ka lindur në Zvicër, e në moshën 15 vjeçare fitoi vendin e parë në "Ford Supermodels of Kosova".
Vajzat po garojnë në këtë garë bukurie krahas 88 vajzave të tjera nga e mbarë bota. Kosova në këtë garë është paraqitur plot shtatë herë, ndërsa ka arritur sukses të jashtëzakonshëm.
Marigona Dragusha në vitin 2009-të është zgjedhë përcjellësja e dytë e Miss Universit, ndërsa bukuroshet si Zana Krasniqi, Diana Avdiu dhe Afërdita Dreshaj po ashtu kanë hyrë në top 16 femrat më të bukura./a.g/











