Kosova feston sot 23 vjetorin e çlirimit, Osmani: E kaluara jonë asnjëherë nuk mund të harrohet! Kurti: Prekazi heroik, kryeqyteti i kryengritjes shqiptare

Kosova feston sot 23 vjetorin e çlirimit, Osmani: E kaluara jonë asnjëherë nuk mund të harrohet! Kurti: Prekazi heroik, kryeqyteti i kryengritjes shqiptare

Momenti kur KFOR kalon në rrugët e Prishtinës dhe përshëndetet nga qytetarët

Kosova sot shënon 23 vjetorin e çlirimit një nga ditët më të rëndësishme të historisë së vendit. 23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik.

12 Qershori është dita e parë e lirisë. Sot presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe tek varri ish presidentit Ibrahim Rrugova si dhe kanë vendosur kurora me lule në Prekaz ku prehet dhe familja Jashari.

“Jemi këtu në Prekaz, pikërisht në ditën kur të gjithë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ranë për liri por mbi të gjitha këtu në Prekaz ku u vulos liria jonë, me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Dua të tregojmë edhe një herë që e kaluara jonë asnjëherë nuk mund të harrohet, përkundrazi ajo gjithnjë na shërben si një fanar ndriçues në çdo hap që e bëjmë përpara drejt forcimit të shtetit tonë, lirisë sonë dhe demokracisë së ndërtuar me aq shumë mund e sakrifica”, tha presidentja Osmani.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti u shpreh se lufta çlirimtare nuk mund të mendohet nga askush pa familjen Jashari.

“Lufta çlirimtare nuk mund të mendohet nga askush pa Jasharajt. Tre breza luftuan tri ditë në atë që sot njihet si Epopeja e UCK-së. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj sot u themi të gjithë qytetarëve urime 12 qershori, dita e çlirimit dhe paqes, e cila i ka rrënjët këtu te sakrifica dhe flijimi i familjes Jashari”, tha Kurti.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër ushtrisë serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:10
Hovenier takon gruan kosovare që brutaliteti i luftës së vitit 1999 e nxori në kopertinën e “The Times”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, është takuar me Sherifen Lutën – fytyra e secilës u bë pasqyra që tregonte luftën brutale të Serbisë në Kosovë – ajo teksa ishte duke u larguar nga Kosova ishte fotografuar për t’u dalë në ballinën e “Time”.

Takimi i ambasadorit amerikan me Sherifen ka ndodhur në ngjarjen e organizuar në rastin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës, të dielën.

“Ishte kënaqësi të takova Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes më herët sot. 23 vjet më parë, Sherifja u bë fytyra e një lufte brutale, pasi ajo dhe fëmija i saj u larguan nga Kosova. Sot, ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Kosovës referuar fjalës së ambasadorit.

Sot Kosova e ka kremtuar 23 vjetorin e çlirimit nga okupatori serb.

Çlirimi erdhi pas një rezistence shqiptare ndaj forcave serbe të cilët kishin kryer gjenocid në Kosovë./GazetaExpress

Ora 17:36
23 vjetori i çlirimit të Kosovës, Nikolla: Mirënjohje aleatëve të mëdhenj, ShBA e NATO

1650047518_linditanikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mesazh me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës: Vepër e UÇK e popullit kosovar, me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA e NATO. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot me një mesazh Ditën e Çlirimit të Kosovës

“Sot është një ditë e shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Çlirimi i Kosovës është vepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e popullit të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj të kombit shqiptar, ShBA dhe NATO. Kosova e pavarur dhe demokratike është rezultat i Kosovës së lirë. Shqipëria qëndron në krah të Kosovës, për përballimin e sfidave të përbashkëta. Sepse sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po bashkërendojnë diplomacinë parlamentare për përballimin e tyre. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, një kërkesë e drejtë dhe e merituar.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ora 16:26
Kosova feston sot 23 vjetorin e çlirimit, reagon Meta: Ditë historike në rezistencën e lavdishme të UÇK

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për 23 vjetorin e çliirimit të Kosovës nga serbët në një ofensivë ushtarake të drejtuar nga SHBA-të dhe NATO.

"Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, shembull frymëzues i ndërtimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, që meriton sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, përfituese e liberalizimit të vizave, anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe çdo organizate ndërkombëtare.

Në këtë ditë historike nderojmë vizionin strategjik të Presidentit Ibrahim Rugova, rezistencën e lavdishme të UÇK, heroizmin legjendar të Komandantit Adem Jashari dhe sakrificat e çdo shqiptari që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë.

Mirënjohje dhe thellësisht falenderues për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA-ve dhe vendeve demokratike mike, që i dhanë fund genocidit, kurorëzuan aspiratën shekullore për liri dhe vazhdojnë t'i qëndrojnë afër Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese europiane dhe euro-atlantike."- shkruan Meta. 

Ora 14:51
Kosova feston 23 vjetorin e çlirimit, Berisha: Kjo është një dite e shënuar historike për Kosovën, kombin shqiptar dhe NATO-n

Ish kryeministri Berisha ka reagur për 23 vjetorin e clirimit të Kosovës nga serbët në një ofensivë ushtarake të drejtuar nga SHBA-të dhe NATO.

Berisha shkruan se kjo është një dite e shënuar historike për Kosovën, kombin shqiptar dhe NATO-n. Mirënjohje të pakufishme për ata që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ora 14:42
23 vjetori e çlirimit të Kosovës, Rama: Me hyrjen forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale për 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ditë kur forcat e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të nisën ofensivën kundër forcave serbe duke i dhënë lirinë e shumëkërkuar Kosovës.

Rama shkruan se me hyrjen e forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës.

“Si sot 23 vjet më parë, me hyrjen forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës”, shkruan Rama në facebook.

Ora 11:19
Kosova shënon 23 vjetorin e çlirimit, Lulzim Basha: Nderim për bijat dhe bijtë e Kosovës që dhanë jetën për liri

Kosova sot shënon 23 vjetorin e çlirimit një nga ditët më të rëndësishme të historisë së vendit. 23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s.

Lidhur me ketë dite historike për Kosovën ka ardhur dhe një mesazh urimi nga ish kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili me anë të një postimi në facebook shkruan se 12 qershori 1999 shënoi fundin e një lufte të drejtë dhe sakrificash mbinjerëzore për realizimin e ëndrrës shekullore për një Kosovë të lirë. Nderim për bijat dhe bijtë e Kosovës që dhanë jetën për liri, për qëndresën paqësore të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari shkruan Basha.

“12 qershori 1999 shënoi fundin e një lufte të drejtë dhe sakrificash mbinjerëzore për realizimin e ëndrrës shekullore për një Kosovë të lirë. Në këtë ditë të shënuar, nderimi ynë i thellë shkon për bijat dhe bijtë e Kosovës që dhanë jetën për liri, për qëndresën paqësore të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Në këtë rrugëtim plot sakrifica dhe shpresë drejt ëndrrës së çlirimit të Kosovës, shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, vendeve mike dhe aleate të Europës dhe partnerëve të tjerë që mbështetën dhe luftuan për kauzën e drejtë të Kosovës së lirë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë e japin për konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës.

Sot, 23 vite pas ditës së parë të lirisë, Kosova është kontributore në paqen dhe sigurinë e rajonit, duke ndërtuar bashkarisht me partnerët dhe aleatët tanë një të ardhme euro-atlantike për të giithë qytetarët e saj dhe mbarë rajonin”, shkruan Basha në facebook.

 

E.K/G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë