Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka komentuar shortin e play-off-it për Botërorin 2026, ku më 26 mars 'Dardanët' do të udhëtojnë drejt Bratislavës për t’u përballur me Sllovakinë. Tekniku gjerman vlerësoi forcën e kundërshtarit, por theksoi se Kosova ka hyrë në një fazë të re vetëbesimi falë rezultateve të fundit.

“Sllovakia ka një ekip shumë të mirë. Ata fituan kundër Gjermanisë (2-0), por bazuar në rezultatet tona, kemi fituar si miq në Suedi, Slloveni dhe kundër Islandës. Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje e barabartë”, deklaroi Foda, i cili beson se 'Dardanët' do të shfaqin karakter në një transfertë të vështirë.

Tekniku kujtoi se fokusi i skuadrës duhet të jetë maksimalisht te sfida e parë.

“Nëse fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka. Por ndeshja më e rëndësishme është ajo e parë në Sllovaki, e më pas shohim më tej”, tregoi ai.

Në rast kualifikimi, Kosova do të luajë finalen e play-off-it në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me fituesin e çiftit Turqi - Rumani, duke shpresuar për një mbrëmje historike në Prishtinë.