“Kosova ka ende nevojë për ndryshime shoqërore”, VOA: Drejtësia kalimtare dhe përballja me të kaluarën

 “Kosova ka ende nevojë për ndryshime shoqërore”, VOA: Drejtësia kalimtare dhe përballja me të kaluarën

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha të hënën se si shoqëri e re shumë kulturore, e dalë nga një konflikt i dhunshëm, Kosova ka ende nevojë për ndryshime më të gjera shoqërore, bashkëjetesë paqësore dhe pajtim.

Ai i bëri këto komente gjatë në debati mbi udhëzimin për startegjinë kombëtare për drejtësinë kalimtare, i hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, që synon të nxisë pajtimin.

Sipas Kombeve të Bashkuara, “drejtësia kalimtare paraqet gamën e plotë të proceseve dhe mekanizmave që lidhen me përpjekjen e një shoqërie për t’u pajtuar me një trashëgimi të shkelje në shkallë të gjerë të së kaluarës, në mënyrë që të sigurohet llogaridhënia, të arrihet drejtësia dhe pajtimi”.

Zoti Szunyog, tha se pa një qasje më strategjike dhe efektive gjasat për zhvillime pozitive në këtë drejtim janë të kufizuara.

“Qëllimi i këtij udhëzuesi është të nxisë angazhimin e qytetarëve dhe politikanëve për të kërkuar veprime të qarta nga autoritetet përgjegjëse dhe të rinisë diskutimin për drejtësinë kalimtare në Kosovë. Strategjia për këtë drejtësi nuk do të tregojë vetëm përkushtimin e autoriteteve për t’u përballur me të kaluarën, por do të sigurojë efektivitet maksimal të përpjekjeve drejt synimit për të përmirësuar trajtimin ligjor dhe politik të këtij problemi”, tha ai.

Grupi punues për hartimin e kësaj strategjie u themelua nga ministria e Drejtësisë vitin e kaluar, me qëllim të bashkërendimit të të gjitha nismave që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky proces deri tani ka qenë shumë sfidues.

“Institucioneve të Kosovës duket që u mungojnë kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e politikave në drejtësi tranzicionale, posaçërisht njohuritë mbi temën dhe rëndësinë që këto procese bartin për shoqërinë tonë. Andaj nisma të tilla të cilat i ndihmojnë procesit të hartimit të strategjisë për drejtësi tranzicionale, si kjo, janë të mirëseardhura dhe patjetër që do t’i kemi parasysh”, tha zonja Haxhiu.

Sipas udhëzuesit të publikuar të hënën, strategjia për drejtësi kalimtare në Kosovë duhet të ketë një qasje të tillë që të përqendrohet në viktimat si dhe të përfshijë periudhën kohore nga muaji janar i vitit 1998 deri në muajin dhjetor 2000.

Profesori për paqe dhe studime të konflikteve në Universitetin e Dublin-it në Irlandë, Gëzim Visoka, i tha Zërit të Amerikës se përfshirja e të gjitha palëve të prekura nga lufta është thelbësore.

“Të mos jetë një mekanizëm ose instrument që i mundëson vetëm një grupi dominim ndaj të tjerëve. Kështu që sfida mbetet në lëvizjen nga këto dokumente e raporte që identifikojnë nevojën për një strategji kombëtare, te një proces praktik që të hartohet një strategji që është e zbatueshme dhe ndërtohet nga poshtë-lart, ashtu që zëri i viktimave, të mbijetuarve të tjerëve të prekur nga lufta të reflektojë dukshëm në këtë strategji ose organizim institucional”, tha ai.

Autoritetet thonë se projekti i parë i kësaj strategjie, pritet të dalë për diskutim publik në shtator të këtij viti.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, për fatin e një mijë e 618 prej të cilëve ende nuk dihet asgjë. Ndërkaq sipas një raporti të Fondit për të Drejtën Humanitare në vitin 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte, ndërsa që nga përfundimi i luftës nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar gjithsej 70 persona për kryerje të këtyre krimeve./ Marrë nga VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori