Kosova ka nevojë, ose për koalicion të ri, ose për zgjedhje të reja

Kosova ka nevojë, ose për koalicion të ri, ose për zgjedhje të reja

Gjykata Speciale e Hagës

Shumica e udhëheqësve kryesorë politik të Kosovës, dalë nga krahu i luftës, po përballen me akuza në Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë, duke krijuar në Kosovë një boshllëk politik, i cili rrezikohet nga mungesa e stabilitetit dhe mungesa e legjitimitetit të disa institucioneve.

Përtej reagimeve patetike për të dërguarit në Gjykatë Speciale, shumë politikanë të mbetur në Kosovë, po e shikojnë këtë boshllëk politik si një rast për t’u faktorizuar.

Qeveria e kryeministrit Abdullah Hoti, tani gjendet para dy rrugëve: Ose duhet të riformatojë një koalicion të ri, duke përfshirë në qeveri dhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke kthyer kështu koalicionin që rrëzoi kryeministrin Albin Kurti, ose duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga president, ka krijuar një boshllëk institucional, i cili zgjidhet ose nga një Parlament i ri, ose nga një koalicion i ri.

Vjosa Osmanit tashmë i ka mbetur në dorë dhe posti i kryetarit të Kuvendit, dhe i presidentit, por nuk ka vota për asnjërin. Kështu që mund t’i përdorë vetëm për foto dhe CV.

Futja e PDK në qeveri dhe rindarja e posteve mes PDK dhe LDK, lidhur me presidentin dhe kryeministrin, është rruga e parë.

Se kush e merr presidentin e kush kryeministrin, zgjidhet mes dy partive kryesore. Kjo i jep shanse një stabiliteti më afatgjat politik, deri në zgjedhjet e rregullta.

Në rast të kundërt, nëse nuk merren vesh për një koalicion më të gjerë se ky që është, atëhere duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

Kjo qeveri është e pafuqishme t’i rezistojë shantazheve të aktorëve të vegjël të saj, të cilët tani ëndërrojnë t’i zënë vendin çdokujt që niset për në Hagë, ani pse vetë shumica e tyre kanë fletëthirrje për në Hagë dhe nga një dhomë të rezervuar atje.

Nga ana tjetër, kriteri i panegociueshëm që duhet të ketë zgjerimi i koalicionit, është që çdokush që merr poste drejtuese, të mos jetë i përfshirë në planet e Gjykatës Speciale, as si i pandehur, as si dëshmitar, pasi kështu Kosova do të futej në një spirale pa fund destabiliteti, duke prodhuar si bilanc në sytë e botës, vetëm arrestime udhëheqësish.

Një brez i ri politik duhet të hyjë në zyrat e shtetit të Kosovës për të qenë fytyra e re e tij dhe të mos ketë si arritje në biografinë e vet, sa herë ka shkuar në gjyq në Hagë, dhe sa herë ka shpëtuar.

Kjo është rruga më e mirë për të mbrojtur dhe ata që po shkojnë të përballen me drejtësinë, pavarësisht tepërimit dhe disbalancimit që ka ky proces për shqiptarët, në raport me krimet barbare të serbëve në Kosovë.

Kjo është një sfidë që duhet përballuar, por fuqia e vërtetë e përballimit të kësaj sfide, është fytyra e re e shtetit të Kosovës, të cilët duhet të jenë të pashantazhueshëm, të pakorruptuar dhe të papërzierë në historitë  e vjetra politike të Kosovës.

Kjo vjen, ose nga një koalicon i ri, me vullnetin për të promovuar fytyra të reja të Kosovës dhe mundësisht sa më shumë gra, ose me zgjedhje të reja, për të vendosur një legjitimitet të ri të këtyre institucioneve. Çdo vonesë, mund ta mbushë boshllëkun me dhunë, destabilitet dhe kthim mbrapa të Kosovës.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Djali nuk ka dashur ta takojë Parashqevi Simakun', flet ish-bashkëshorti i këngëtares: Vetëm sot ra dakord

'Djali nuk ka dashur ta takojë Parashqevi Simakun', flet ish-bashkëshorti i këngëtares: Vetëm sot ra dakord