Pamje nga Prishtina
PRISHTINË, 23 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Kosova kërkon njohje nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, që ende nuk e kanë njohur.
Minisri i Jashtëm Enver Hoxhaj bën të ditur se në kuadër të 4 vjetorit të Mendimit Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës, u ka nisur nga një letër të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë ta bëjnë këtë.
"Në letër kam ripërsëritur kërkesën për njohje të Kosovës duke argumentuar se përveç shumë arsyeve pse duhet njohur pavarësia është edhe opinioni i GJND-së, i cili e konfirmoi si legale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpalljen e pavarësisë në vitin 2008", shprehet ministri i Jashtëm kosovar.
"Kosova deri më tani është njohur nga 107 shtete dhe synojmë të arrijmë njohjen e 2/3 të shteteve anëtare të OKB-së në një të ardhme të afërt", ka shkruar mbrëmë Hoxhaj në Facebook.
Para katër vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 "nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese".
"Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare", theksohej më tej.
Deri në ditën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Pavarësia e Kosovës e shpallur në 17 shkurt 2008 ishte e njohur nga 69 shtete anëtare të OKB-së./k.s/











