PRISHTINË, 5 Janar /ATSH/.-Në Kosovë shpenzimet për pagat për vitin 2015 janë parashikuar në vlerën prej 549 milionë euro, për të gjithë ata që marrin pagë nga shteti, që janë 81 mijë 952 persona - mësuesit, mjekët, Policia, FSK, zjarrfikësit, Dogana, punëtorët e administratave komunale, gjykatat, punëtorët e institucioneve dhe agjencive shtetërore, etj.
Këtë e bën të ditur sot Ministria e Financave, duke theksuar se numri i të punësuarve në këto kategori varet nga numri i popullsisë që ka Kosova, bazuar në standardet ndërkombëtare, siç është rasti me arsimin, shëndetësinë, gjyqësorin, policinë etj.
Vlera e shpenzimeve për mallra dhe shërbime në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar 218 milionë euro. Këto mallra dhe shërbime dedikohen për furnizim në shëndetësi, në arsim dhe në fusha të tjera./ATSH/