PRISHTINË, 4 Shkurt /ATSH/.-Austria do të vazhdojë të përkrah integrimin e plotë të Kosovës në institucione  ndërkombëtare dhe forcimin e shtetit përmes reformave të gjithanshme.
Kështu tha sot Heidemaria Gürer,  udhëheqëse e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Lindje, në ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, e cila ishte e shoqëruar nga ambasadori austriak në Prishtine, Johann Brieger, në takim me ministren kosovare për Dialogun, Edita Tahiri.
Në këtë takim u bisedua për rëndësinë e vazhdimit të Dialogut të Brukselit, duke qenë konstatim i përbashkët se ky proces po ndihmon paqen, fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin në rajon.
Në këtë kontekst, ministrja Tahiri falënderoi Austrinë për gatishmërinë që ka treguar për të aplikuar për kodin telefonik për Kosovën pranë Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU)./b.j//a.ke/