Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Veriu i Kosovës

Dy ndërmarrje publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut - Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore - u mbyllën më 26 dhjetor.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radio Evropën e Lirë se autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve gjendeshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

Elshani theksoi se është kontaktuar edhe prokurori i kompetent, pasi është konstatuar se në këto ambiente punojnë “struktura ilegale dhe paralele”.

Ai tha se është iniciuar rast për “falsifikimin e dokumenteve” dhe se ndërtesa ku kanë qenë këto zyra të ndërmarrjeve publike serbe do të jetë nën mbikëqyrjen e Policisë deri sa “rasti të zgjidhet”.

Pas mbylljes së zyrave të dy ndërmarrjeve serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet”.

“Rreth 70 punonjës të këtyre institucioneve janë legitimuar dhe më pas janë urdhëruar të largohen zyrat, pasi atyre u është thënë se nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, tha kjo zyre përmes një reagimi për media.

Ajo i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe “të parandalojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nga shkaktimi i konflikteve”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se "hyrja" e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vënë në rrezik 70 punonjësit, dhe se ata do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre.

Institucionet e Kosovës që veprojnë në sistemin e Serbisë konsiderohen të paligjshme, dhe për këtë arsye, që në fillim të vitit ka nisur mbyllja e tyre.

Deri tani janë mbyllur disa organe të përkohshme komunale, Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç, si dhe disa kompani komunale.

Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

Në anën tjetër, Serbia refuzon të mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen