PRAGË - Kosova humbi të dielën 2-1 nga Çekia në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Pragë. 'Dardanët' e nisën takimin në mënyrë premtuese dhe krijuan rastin e parë të rrezikshëm me Albion Rrahmani, por sulmuesi nuk arriti të konkretizonte përballë portës kundërshtare.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 12-të falë golit të Vaclav Ladra, i cili përfitoi nga një krosim i saktë i David Doudera për të dërguar topin në rrjetë. Çekët vazhduan të dominojnë dhe në minutën e 32-të gjetën edhe golin e dytë. Adam Hlozek finalizoi me sukses një aksion të ndërtuar nga Mojmir Chytil, duke dyfishuar epërsinë e skuadrës vendase.
Në pjesën e dytë, Kosova tregoi më shumë iniciativë dhe kërkoi të rikthehej në lojë. Përpjekjet e ekipit të drejtuar nga Franco Foda u shpërblyen në minutën e 80-të, kur Lindon Emërllahu, i aktivizuar nga stoli pesë minuta më herët, realizoi golin që ngushtoi diferencën e golave në 2-1.
Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim rezultati dhe Çekia ruajti avantazhin për të siguruar fitoren në këtë test miqësor.
Pas kësaj sfide, Kosova do të vijojë përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore ndaj Andorrës, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në 'Fadil Vokrri' të Prishtinës.
Komente








