PRISHTINË - Miratohet sot Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014. Në seancën plenare të Kuvendit, e cila nis nga ora 10:00, e vetmja pikë e rendit të ditës është "shqyrtimi i dytë i Projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015".
Miratimi në parim i Projektligjit u bë të hënën e para një jave, në 22 dhjetor, me 73 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim, derisa në Kuvendin 120 nëtarësh në sallë ishin të pranishëm 95 deputetë.
Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa, gjatë javës shqyrtoi pjesën tabelare të Projektligjit, si dhe të gjitha kërkesat buxhetore të adresuara nga institucionet e pavarura, komunat, ministritë dhe deputetët, i përkrahu kërkesat të cilat u konsideruan të realizueshme dhe ato u përfshinë në projektbuxhet nëpërmjet amendamenteve.
Projektligji, me amendamentet e propozuara, u procedua për shqyrtim në komisionet e tjera kryesore të Kuvendit, para seancës së sotme plenare, të fundit për këtë vit, në prag të festës së Vitit të Ri.
Duke qenë një çështje urgjente dhe kaluar në procedurë të përshpejtuar, Buxheti i Shtetit 2015 miratohet brenda vitit 2014, edhe pse në këtë vit Kosova humbi shumë kohë duke mos qenë funksional Kuvendi 7 muaj nga vetëshpërndarja në seancën e jashtëzakonshme të 7 majit dhe duke mos u ndërtuar instituiconet deri gjysëm viti pas zgjedhjve parlamentare të 8 qershorit.
E dalë nga këto zgjedhje, qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, sot mban mbledhjen e pestë, e cila do të nisë një orë para seancës së Kuvendit./ATSH/