'Kosova' në Kuvendin e Shqipërisë
sjell përplasjen Rama-Topalli

'Kosova' në Kuvendin e Shqipërisë<br />sjell përplasjen Rama-Topalli
TIRANE – Akuza dhe kundërakuza ka pasur sot mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryeparlamentares Topalli në lidhje me seancën plenare për 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kryesocialisti Rama deklaroi nga selia rozë se seanca e sotme ishte ishte vetëm në dukje për Kosovën, teksa e ka cilësuar të improvizuar, antiopozitare dhe me qëllime elektorale.

Rama tha se PS nuk u njoftua në rrugë institucionale për zhvillimin e seancës për Kosovën. Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë përmes një komunikate për mediat i quan të pavërteta akuzat e shefit të opozitës, duke theksuar se PS është njoftuar si përherë për këtë seancë.

Në një njoftim i cili nis me shprehjen “Kuvendi i Shqipërisë hedh poshtë me neveri mashtrimin e zotit Rama”, thuhet më tej se ka qenë vetë kreu i PS ai që nuk i ka lejuar deputetët e partisë së tij të marrin pjesë në seancën e sotme në nder të 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri Berisha gjatë zhvillimit të seancës nacionalizmi mbetet forca udhëheqëse për bashkimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin.

TOPALLI: TE GJITHE NJE STATUS, SHQIPTAR
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vlerësimin e saj për këtë ngjarje të madhe, tha se “vetëm tek ne ndodh që të thonë se jam shqiptar nga Kosova, jam shqiptar nga Maqedonia, jam shqiptar nga Mali zi, pra, ne të gjithë kemi një status, statusin shqiptar që e mbajmë me krenari”.

BERISHA: NACINALIZMI, FORCA JONE UDHEHEQESE

Kryeministri Berisha, që e mori fjalën më pas, tha ndër të tjera se sot “ne nderojmë me respektin më të madh, burrin vigan të kombit shqiptar, Ibrahim Rugovën; ne nderojmë Presidentin e parë të Kosovës, sepse ky burrë i shquar u bë zëdhënësi i pamposhtur i interesave të shqiptarëve në Kosovë; ne nderojmë Presidentin Rugova sepse në një rast unik të Ballkanit, ai zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar një kauzë të drejtë, çështjen e shqiptarëve të Kosovës”.

“Nacionalizmi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo shqiptari për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit në Evropë, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve njëri me tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë gjeneratave që u sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin shqiptar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale, nuk bazohet në doktrina shfarosëse, siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë. Ky nacionalizëm bazohet në vlerat më themelore. Ndaj dhe ne qëndrojmë krenar të nacionalizmit tonë”, -u shpreh Berisha.

RAMA: SEANCE E IMPROVIZUAR, ANTIOPOZITARE
Nga selia rozë ku mbajti një konferencë për mediat, kryesocialisti Rama e quajti seancën e sotme të zhvilluar për 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, seancë të imponuar dhe propagandë antiopozitare.

“Sot u keqpërdor përvjetori i 5 i Pavarësisë. Në të vërtetë ishte vetëm për të larë gojën duke bërë një rrugë dhe dy punë, një gjoja seancë të posaçme dhe një sulm kundër opozitës dhe Partisë Socialiste nga ana tjetër. Sulm i ftohtë në dukje i heshtur por shumë tinëzar. As seanca plenare nuk u organizua kurrë dhe as PS nuk u lajmërua ndonjëherë. 5-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës kërkonte jo një seancë të improziuar kërcënimi nacionalist, por një seancë jubilare të mirëfilltë dhe sigurisht me përgatitjet e duhura në kohën e duhur, por kjo nuk ndodhi dhe nuk mund të ndodhte”, deklaroi Rama.

Duke deklaruar se Partia Socialiste nuk ishte e ftuar në rrugë institucionale për këtë seancë, Rama e quajti seancën vetëm për qëllime elektorale, në dukje për Kosovën.

“Edhe kjo seancë tinëzare në emër të Kosovës ,por për llogari të pushteti të këtushëm, ishte me një qëllim elektroda...këta janë dashnorët e mëdhenj që përvëlohen për Kosovën deri në pikën për të marrë më shumë vota në Shqipëri, janë gati të hedhin në erë paqen me retorikat nacionaliste, duke inskenuar shfaqje si kjo e sotme...luftë mizerable për pushtet, furnizuan me naftë Miloshevicin, persekutuan në Tiranë liderët e UÇK, kur ata në Tiranë kishin gjetur bazën për të nisur betejat historike, e cilësuan UÇK bandë narkotikësh. Seanca ishte retorikë perverse që kërkon të hedhë në erë të gjitha arritje e shqiptarëve të deritanishme si komb. Seancë blic, një seancë skuthash ku opozita nuk u lajmërua në rrugë institucionale. Sot një ngjarje e jashtëzakonshme e historisë së gjithë shqiptare u shpërdorua për propagandë. Njerëz të dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara”, përfundoi Rama.

DEKLARATA E KUVENDIT KUNDER RAMES

“Kuvendi i Shqipërisë hedh poshtë me neveri mashtrimin e zotit Rama se gjoja nuk janë lajmëruar deputetët e PS-së për seancën në 5 vjetorin e celebrimit të Pavarësisë së Kosovës. Sqarojmë se, përveç publikimit dje në faqen zyrtare të Kuvendit, si përherë janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha Grupeve Parlamentare (përfshirë atë të PS-së ).
Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e Zotit Rama është gjëja më e pavërtetë.
Nuk i bëjnë askujt mirë të pavërtetat e sotme të Ramës, aq më tepër që vetëm na bën më shumë të besojmë se është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë