Edhe pse Kosova nuk merr pjesë në garë, shenjat e saj në “Eurovision” i la nëpërmjet stilistëve. Tri veshjet e prezantueses Victoria Swarovski për natën finale që u mbajt në Vjenë, janë krijuar nga Valdrin Sahiti dhe Drenusha Xharra. I pari, një fustan në të gjelbër smeraldi është krijim i Sahitit. 

“Në paraqitjen me të gjelbër smeraldi, Swarovski luan me shkëlqimin e pastër skenik. Ajo vesh një fustan të ngushtë, me shkëlqim, në një nuancë të thellë të gjelbër, i cili nën prozhektorë vezullon pothuajse si luspat e peshkut. Prerja ndjek linjat e trupit, ndërsa dekolteja e theksuar, rripat e hollë dhe detajet dekorative e vënë edhe më shumë në pah pjesën e sipërme”, kanë përshkruar mediat e huaja.

Fustani ngjyrë vjollcë, me të cilin prezantuesja u paraqit pak para përfundimit të performancës së Austrisë, mban firmën e Drenusha Xharrës. 

Me një tjetër krijim të Valdrin Sahitit, prezantuesja e modelja austriake u rikthye në fund të mbrëmjes me fustanin ngjyrë argjendi i cilësuar si stil modern i “Old Hollywood”.