Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-pjesëtarëve të strukturave serbe, të dyshuar për krime lufte gjatë sulmit në lagjen e Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Kryeprokurori Blerim Isufaj tha se kjo është aktakuza e parë që trajton vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.
“Sot Prokuroria Speciale ka marrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar akuzat në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe për opinionin publik. Dorëzimi i akuzave është bërë në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, duke treguar seriozitetin dhe përkushtimin e Prokurorisë Speciale ndaj drejtësisë. .Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të. Në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.” tha Isufaj
Sipas prokurorit Valdet Gashi, hetimet kanë identifikuar drejtues të njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacion, si edhe rolin e secilit prej tyre. Ai tha se në sulm kanë qenë të përfshira struktura të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Departamenti i Sigurisë Shtetërore dhe Njësia për Operacione Speciale, e drejtuar në atë kohë nga Milorad Ulemek "Legija".
"“Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar… Përveç kësaj, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorët e lagjes Jasharaj, në të cilin rast i kishin keqtrajtuar në mënyra të ndryshme" tha Gashi
Prokuroria thotë se provat e mbledhura tregojnë se gjatë sulmit u vranë 26 civilë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar. Gashi sqaroi se në këtë numër janë përfshirë vetëm viktimat civile, ndërsa pjesëtarët e UÇK-së nuk janë pjesë e kësaj aktakuze.
28 vjet mw parw, në Prekaz, në datat 5,6 dhe 7 forcat serbe i vranë 56 anëtarë të familjes së gjerë Jashari, shumica gra, fëmijë e pleq. Aty ranë edhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, me babain Shabanin e vëllanë Hamzën, që rezistuan për tri ditë.









Komente
Komento