Kriza politike në Kosovë, e krijuar pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për të mbështetur kandidatin e propozuar nga vetë partia, Bekim Sejdiun, për President të Republikës, po i jep një avantazh politik Albin Kurtit. Kështu u shpreh ish-kandidati i LDK-së për deputet, Kreshnik Çollaku, i cili në një intervistë për emisionin "Sot Live" në Report TV tha se, duke pranuar kandidatin e propozuar nga LDK-ja, Kurti ia ka kaluar përgjegjësinë për bllokimin e procesit vetë opozitës.
Çollaku tha se ishte në favor të zgjedhjes së një presidenti politik, ndërsa e cilësoi Bekim Sejdiun një kandidat me integritet, eksperiencë diplomatike dhe njohës të mirë të shtetit. Sipas tij, pranimi i kandidaturës nga Albin Kurti ishte një zhvillim pozitiv, por gjithçka ndryshoi kur gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër vendimit të partisë.
"Opionioni në Kosovë e vlerëson për eksperiencën diplomatike, njohës i mirë i shtetit dhe qëndruyeshmërisë, lektor, një emër që nuk ka të shumtë. Propozimi ka ardhur nga LDK dhe për surprizën time Kurti e pranoi si emër konsensual. Isha shumë entuziast. Çudia më e madhe ndodhi kur 6 deputetë të vjetër me eksperiencë, kundërshtuan këtë marrëveshje duke thyer një vendim politik të partisë e duke imponuar veton e tyre për shkaqe të pakuptueshme e të paarsyeshme bazuar në përshtypje, qëndrime apo interesa personale", u shpreh ai.
Sipas Çollakut, pikërisht ky veprim i ka dhënë një avantazh politik kryeministrit të Kosovës.
"Vendimi për të sabotuar një kandidat si Bekim Sejdiu.. që nuk është president kukull, do ishte perfekt për Kosovën, sabotimi për inate të kohërave të shkuara, i ka hequr çdo alibi Albin Kurtit, i ka dhënë ndihmën më të madhe atij. Opozita e akuzonte Kurtin se kërkon të marrë presidentin dhe nxit kriza, Është absurde t'i thuash Kurtit që po e zgjat krizën ndërsa ai për çudinë time pranon një kandidat të LDK. Vendimi i të 6-ëve i ka dhënë një bonus moral Kurtit. Ai është i justifikuar para popullit. Eshte vete opozita që po bojkoton procesin. Kurti shkon ballëhapur drejt një bonusi moral të pamerituar që po i dhurohet nga sjellja jo politike e 6 deputetëve” tha ai.
I pyetur nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, Çollaku u shpreh se një zhvillim i tillë do të dëmtonte opozitën dhe do të rëndonte më tej krizën institucionale.
"Është jo racionale të pretendosh se do të shkosh në zgjedhje të reja të shkaktuara nga opozita dhe të mendosh se do t'i marrësh vota Albin Kurtit. Opozita nuk rrit votat duke mos bërë opozitë. Kjo krizë rrezikon që Kosova të konsiderohet një republikë e dështuar. Si mund të luajë bixhoz Kosova me fatin e saj vetëm sepse një grup deputetësh kanë kundërshtime ndaj kandidatit për president?", përfundoi Çollaku.








Komente
Komento