PRISHTINË, 7 Shkurt /ATSH/.- Portën kufitare në Vërmicë-Morinë sot e kaluan 15 kamionë nga Kosova me ndihma në vlerë 300 mijë euro për banorët e zonave të përmbytjeve në Shqipëri.
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë bën të ditur se, sot, nga pika kufitare e Vërmicës, biznese të ndryshme të Kosovës nisën drejt Vlorës ndihma në ushqime për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Janë dërguar 15 kamionë të tonazheve të larta, me një vlerë rreth 300 mijë euro. Një pjesë e konsiderueshme e ndihmës janë edhe ushqime për bagëtitë, njofton Ambasada shqiptare në kryeqytetin kosovar. 
Në Prizren sot nga mungjesi u bënë bashkë kamionët me ndihma nga rajone të ndryshme të Kosovës, pasi dje ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, me kërkesë të bizneseve kosovare ka zhvilluar një takim në Prishtinë me donatorë ndihmash për zonat e prekura nga përmbytjet në Shqipëri.
Ditëve të ardhshme, edhe më shumë biznese nga Kosova, por edhe nga Lugina e Preshevës, pritet të jenë pjesë e këtyre ndihmave drejt Shqipërisë./b.j/ /a.g/