Avokatja Krenare Vokshi është shprehur se me mos-zgjedhjen e Presidentit mbrëmjen e djeshme, Kuvendi i Kosovës juridikisht konsiderohet i vdekur.

Komentet Vokshi i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se partitë politike në Kosovë nuk interesohen për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për rezultatin e zgjedhjeve.

Vokshi tha gjithashtu se dy prej datave më të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë 31 maji dhe 7 qershori.

“Është hera e parë në historinë e Kosovës pas luftës dhe pas shpalljes së Pavarësisë, që shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të mos-arritjes së konsensusit për të zgjedhur Presidentin. Kushtetuta është e ndërtuar në atë formë që kërkon një konsensus mes partive politike, në mënyrë që Presidenti i Kosovës të jetë një person unifikues pa dallim për të gjitha partitë politike dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Ajo që ndodhi mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, po krijon një trend shqetësues, pasi partitë politike si sukses të tyre tani po shohin vetëm rezultatin zgjedhor, duke lënë mënjanë punët për të siguruar mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Mbrëmë ka kaluar edhe afat për zgjedhjen e Presidentit, pra afati 60 ditor. Pas mesnatës Kuvendi i Kosovës tashmë juridikisht ka vdekur dhe konsiderohet si i shpërndarë. Tani është momenti kur Haxhiu ka të drejtën që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe datën e zgjedhjeve. Kreu i KQZ propozoi 7 qershorin si datën e zgjedhjeve. Një datë e mundshme për zgjedhjet e ardhshme do të jetë 31 maji ose 7 qershori”, tha mes të tjerash Vokshi.

Vokshi shtoi më tej se zgjedhjet e jashtëzakonshme po i kushtojnë Kosovës si në aspektin e mirëqenies së qytetarëve, ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar, për shkak pasi sipas saj, vendet mike po humbasin besimin te institucionet e Prishtinës.

“Por mund të themi se edhe pas këtyre zgjedhjeve mund të jetë e vështirë për t’u arritur një zgjidhje. Nuk ka pasur vullnet prej të gjitha partive, duke nisur nga partia në pushtet, e cila pati mundësinë që të rikandidojë dhe rizgjedhë presidenten Vjosa Osmani, që kishte një përkrahje edhe nga LDK. Partitë nuk arritën të bëhen bashkë dhe të zgjedhin një President jashtë radhëve politike. Zgjedhjet e jashtëzakonshme po i kushtojnë Kosovës si në aspektin e mirëqenies së qytetarëve, por edhe në aspektin ndërkombëtar në humbjen e besimit te institucionet. Në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur kurrë që një parti të ketë mbi 60 % të votave, prandaj thashë se edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të jetë e vështirë për arritjen e një marrëveshjeje”, vijoi më tej Vokshi.