Kosova, për mundësi të barabarta për të gjithë

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger me rastin e 15 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, , i bëri thirrje institucioneve që të sigurojnë pjesëmarrje më të madhe të grave, të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara në proceset e politikbërjes e vendimmarrjes dhe inkurajoi organizatat e shoqërisë civile, që të avokojnë për nevojat e këtyre grupeve.

Ambasadori Schlumberger foli në një konferencë të Misionit të organizuar për më shumë se 40 përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të institucioneve të nivelit qendror e lokal në Prishtinë, të cilët diskutuan praktikat dhe politikat më të mira të pjesëmarrjes, si dhe promovimin e zbatimin e tyre në mbarë Kosovën.

"Është shumë e rëndësishme që gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara të jenë pjesë e dialogut social dhe të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, miratimin e buxheteve, dhe ndarjen e resurseve publike," tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.

"Pa pjesëmarrjen e tyre në këto procese kyçe të vendimmarrjes dhe politikbërjes, ne nuk mund të flasim për mundësi të barabarta për të gjithë", shtoi ai dhe premtoi mbështetje të mëtejshme të Misionit në proceset e demokratizimit në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja