Kosova ka përmbyllur në pak ditë disa prej proceseve më të rëndësishme institucionale: konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë së re, miratimin e buxhetit për vitin aktual dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Por një tjetër sfidë e rëndësishme e pret skenën politike të Kosovës, zgjedhja e presidentit të ri.
Ligjvënësit duhet të votojnë për kreun e shtetit deri më 4 mars, ndërsa deri tani nuk ka nisur zyrtarisht asnjë proces konsultimi mes partive për emrin që do të propozohet. Edhe pse është folur për bashkëpunim dhe dialog ndërpartiak, njohësit e çështjeve kushtetuese vlerësojnë se klasa politike po e shtyn diskutimin për momentet e fundit.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha në një intervistë për RTK se vonesa është e dëmshme dhe se opinioni publik pret më shumë transparencë. Sipas tij, diskutimet me partitë e tjera, përfshirë opozitën, duhet të kishin nisur tashmë, në mënyrë që të shmanget një situatë e improvizuar në minutat e fundit.
"Kjo klasë politike po e lë për momentet të fundit këtë çështje, prandaj do të duhej ashtu siç është premtuar nga kryeministri, që të fillojë diskutimi me partitë tjera, pra të opozitës. Kjo heshtje është e dëmshme, opinioni do më shumë transparencë, më shumë debat për çështjen e presidentit, dhe nuk do të duhej të shtyhej më shumë. Është urgjente, do të duhej të shfrytëzohej çdo minutë, çdo orë”, tha ai për RTK-në
Ndërkohë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, analisti Vullnet Bugaqku theksoi se seanca për zgjedhjen e presidentit mund të thirret në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, por mbetet e paqartë nëse procesi do të përfundojë brenda afatit.
“Thirrja e seancës për presidentin mund të ndodhë në fund të muajit shkurt apo në fillim të marsit, deri më 4 mars dhe pastaj a përfundon a jo, deri më 1,2,3 apo 4 Mars, pritet të shihet. Mund të filloj procedura, por mund edhe mos të filloj fare, varësisht nga dinamika e zhvillimeve politike”, tha ai.
Procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që kandidati të sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për t’u propozuar. Në dy raundet e para të votimit nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, ndërsa nëse kandidati nuk arrin këtë shumicë, në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Për mbajtjen e votimit nevojitet kuorum prej të paktën 80 deputetësh të pranishëm në sallë.
Me afatin që afrohet, mbetet për t’u parë nëse partitë do të arrijnë një konsensus për një emër të përbashkët, apo nëse procesi do të shoqërohet me tensione politike dhe kalkulime të minutës së fundit
Komente







