Nuk do të ketë thirrje të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje të liderëve të subjekteve politike parlamentare, ky është qëndrimi i përsëritur i deputetës më të vjetër të legjistlaturës së pestë, një javë para se të mbushen pesë muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Deputetja kryesuese, Flora Brovina, kërkon "një marrëveshje mes partive, qe ta votojnë Kryetarin e Parlamentit sipas Rregullores së Punës, sipas Kushtetutës dhe përgjegjës së Gjykatës Kushtetuese".

Ajo thotë se nuk janë të nevojshme nënshkrimet e deputetëve të koalicionit paszgjedhor për thirrje të seancës dhe se ajo çfarë nevojitet mbetet marrëveshja e liderëve politikë për zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit të Kosovës.

"Dihet kush e ka të drejtën, por duhet të ketë konsensus që ta votojnë atë që ka të drejtën. Në të kundërtën, dihet se PDK si fituese e zgjedhjeve ka mundësi të propozojë edhe nga partitë tjera nëse ka marrëveshje mes tyre. Pra, ka shumë variante që ta votojmë Kryetarin e Parlamentit, por së pari duhet të merremi vesh", ka thënë ajo mbrëmë në RTK.
Në Kosovën e pas zgjedhjev të 8 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit e nisur dhe ndërprerë në 17 korrik, e vazhduar në 18 shtator e përsëri e ndërprerë, e thirrur për 2 tetor me axhendë për të tretën herë zgjedhjen e Kryetarit e nënkryetarëve, por e shtyrë, ende nuk dihet kur do rivazhdojë e përfundojë, në situatën kur për zgjedhjen e kryeparlamentarit koalicioni parazgjedhor nuk i ka numrat, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk e ka të drejtën sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje që do mundësonte zgjedhjen.

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar shtatë raunde takimesh të veçanta me liderët e subjekteve politike parlamentare dhe pritet t'i ftojë përsëri në një raund të tetë, mbase edhe për takim të përbashkët, në kërkim të një zgjidhje për krijimin e institucioneve duke shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Presidentja Jahjaga, sipas shtypit kosovar, "i ka vlerësuar zgjedhjet e parakohshme si opsion i fundit, por ka shpjeguar se ua ka bërë të qartë edhe liderëve të partive se vendi nuk mund të mbetet pafundësisht peng i krizës dhe në mungesë të vullnetit për zgjidhje, edhe zgjedhjet janë opsion". 

ATSH