Kosova në sistemin gjyqësor ka bërë reforma me mbështetjen e institucioneve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha.

Ai, me ftesë të Prokurorisë Shtetërore të Malit të Zi, ka marrë pjesë në "Ditët e prokurorëve shtetërorë të Malit të Zi", në Budva, ku është mbajtur konferenca me temë "Reforma e legjislacionit penal dhe sistemit gjyqësor në Mal të Zi", e cila është organizuar nga Prokuroria Shtetërore dhe Asociacioni i Prokurorëve të Malit të Zi.

Hoxha ka shprehur gatishmërinë që në këtë konferencë të paraqes përvojën dhe ekspertizën e reformës se sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

"Shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që të ndajmë përvojën dhe ekspertizën tonë me të gjitha prokuroritë e shteteve pjesëmarrëse, gjithmonë duke u nisur në frymën e ngritjes se bashkëpunimit, mirëbesimit dhe komunikimit reciprok", ka theksuar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës.

Ai tha se bashkëpunimi dhe koordinimi më i madh i prokurorive të rajonit duhet të zgjerohet në fushat të interesit të përbashkët, siç është luftimi i krimit të organizuar, krimit transnacional, terrorizmit dhe veprave tjera penale.

Gjatë kësaj konference, Hoxha ka zhvilluar disa takime me homologë të tij të vendeve pjesëmarrëse, me të cilët ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me Prokurorinë e Shtetit të Republikës së Kosovës. 

ATSH