Qendrat e votimit në të gjithë Kosovën u mbyllën në orën 19:00, duke i dhënë fund zgjedhjeve të treta parlamentare që vendi zhvilloi brenda vetëm 16 muajsh. Qytetarët që ndodheshin brenda qendrave të votimit në momentin e mbylljes së procesit u lejuan të përfundojnë votimin. 

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 19:00 kishin votuar mbi 700,000 qytetarë, ose 36.33% e trupës elektorale. Pjesëmarrja rezulton më e ulët krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në dhjetor kur votuan rreth 44.9% e qytetarëve.

Kreu i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se numërimi ka nisur dhe rezultatet preliminare do të dalin rreth ores 21:00. 

Në këto zgjedhje të drejtën e votës e kishin 2.092.174 qytetarë, përfshirë edhe diasporën. Procesi u zhvillua në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa një ditë më parë votuan edhe qytetarët e Kosovës në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:46
Kosovë/ Arrestohen 2 persona në Pejë për ndërhyrje në procesin zgjedhor

1780843773_cgyuuus.JPG

Dy persona janë arrestuar në Gorazhdec të Pejës, nën dyshimin për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi. Zëdhënësi për rajonin e Pejës Fadil Gashi, ka thënë se janë zhvilluar dy aksione në një vendndodhje.

“Ata janë sjellur për t’u intervistuar në stacionin policor të Pejës. Në bastisje kanë marrë pjesë njësitet relevante të policisë.

Aksioni u zhvilluar në koordinim me prokurorin e rastit. Informacionet e tjera do të bëhen të ditura më vonë”, deklagoi Gashi për mediat në Kosovë.

Ora 15:44
Zgjedhjet në Kosovë, ambasadori gjerman: Procesi po zhvillohet qetë dhe pa probleme, presim me interes rezultatet!

Përmes një video-mesazhi, ambasadori gjerman bëri të ditur se po merr pjesë në monitorimin e zgjedhjeve së bashku me katër ekipe të tjera, në kuadër të një misioni vëzhgues të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Rainer Rudolph tha se gjatë vizitave në qendrat e votimit në Prishtinë dhe zonat përreth nuk ka konstatuar probleme, ndërsa procesi po zhvillohet i qetë. Diplomati gjerman shtoi se pret me interes rezultatet që do të publikohen pas mbylljes së votimit.

"Sot është dita e zgjedhjeve në Kosovë dhe, me vendosmërinë për të vëzhguar procesin, po marrim pjesë me katër ekipe në ushtrimin e monitorimit të zgjedhjeve të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Aktualisht jam duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Gjithçka që kam parë deri tani duket e qetë dhe po zhvillohet pa probleme. Prandaj, presim me interes rezultatet e zgjedhjeve sonte. Shihemi atëherë”, u shpreh ambasadori Rudolph

Ora 15:41
Zgjedhjet në Kosovë/ Mbi 445 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 15:00, pjesëmarrja në votime arrin në 22.74%

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, deri në orën 15:00 kanë votuar 445.622 qytetarë, ose 22.74% e votuesve me të drejtë vote. Në konferencën për media, kryetari Kreshnik Radoniqi:bëri të ditur se procesi po zhvillohet i qetë dhe pa probleme të theksuara në të gjithë vendin.

Sipas institucionit, të dhënat e pjesëmarrjes janë përpunuar nga mbi 98% e vendvotimeve në Kosovë. Ndërkohë, sipas Radoniqit, 1 person është proceduar nga policia për dëmtim të fletës së votimit. 

Ora 15:13
Zgjedhjet në Kosovë, Ambasadori britanik thirrje partive politike: Formoni sa më shpejt institucionet e reja

Gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Zubin Potok, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves tha se Kosova ka nevojë për një kuvend, qeveri dhe president të ri sa më shpejt të jetë e mundur. Ai u shpreh se shumë qytetarë shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit dhe theksoi se do të ishte në interes të vendit që partitë politike të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve pas përfundimit të procesit zgjedhor

“Puna jonë është të sigurohemi që të kemi një pasqyrë të qartë në të gjithë Kosovën për atë që po ndodh. Njerëzit në qendrat e votimit kanë qenë shumë ndihmues dhe mikpritës. Dua t’i përgëzoj ata dhe të gjithë ata që po mundësojnë mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit. Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, u shpreh ambasadori britanik.

Ora 11:57
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Rreth 8% e qytetarëve kanë votuar deri në mesditë, Prishtina kryeson për pjesëmarrjen

Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 7.98% deri në orën 11:00. Nga mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, votën e kanë hedhur 156.474 persona.

Prishtina kryeson për nga numri i votuesve, me 24.948 qytetarë që kanë marrë pjesë në proces deri në këtë orë. Pas saj renditen Prizreni me 11.355 votues, Ferizaj me 10.987, Peja me 9.313, Gjilani me 9.111, Gjakova me 8.893, Mitrovica e Jugut me 6.703 dhe Vushtrria me 6.237 votues.

Procesi i votimit po zhvillohet në 949 qendra votimi dhe 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën.

Ora 09:56
Zgjedhjet në Kosovë, Vjosa Osmani voton në Hajvali të Prishtinës: Pa qytetarët s’ka demokraci

Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti, ka votuar në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali të Prishtinës. Ish-presidentja iu bashkua qytetarëve që po votojnë sot për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Osmani është kandidate për presidente nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës 

"“Jemi në heshtje zgjedhore, por normalisht jam shumë e lumtur me mënyrën se si qytetarët e Kosovës e marrin si detyrim kombëtar mundësinë për të kontribuar në çdo proces zgjedhor, sepse kjo është shumë me rëndësi, sepse pa ta s’ka demokraci, dhe jam tepër mirënjohëse për gjithçka që bëjnë për këtë vend dhe nuk e ndalin kurrë kontributin”, ka deklaruar Osmani për mediat

 

Ora 09:47
Zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti hedh votën dhe u bën apel qytetarëve: Sot vendosin ata që votojnë

Pas votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë, Albin Kurti e cilësoi 7 qershorin si “një ditë të bukur dhe të rëndësishme” dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime. Ai u sugjeroi votuesve të verifikojnë paraprakisht vendvotimin në faqen e KQZ-së, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë”. Kurti votoi pa praninë e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ora 09:04
Mbi 100 prokurorë në terren për zgjedhjet në Kosovë, apel qytetarëve të raportojnë shkeljet

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar në mbarë territorin e Kosovës për të mbikëqyrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo rast për të cilin dyshohet se cenon integritetin e votës.

Ora 08:57
Zgjedhjet në Kosovë, votuesja serbe shfaqet me vellon e nusërisë në qendrën e votimit

Një moment i pazakontë është regjistruar në qendrën e votimit “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut. Një votuese me origjinë serbe ka ushtruar të drejtën e saj të votës me vello mbi kokë ose siç njihet ndryshe duvaku, duke u kthyer menjëherë në një nga detajet më të komentuara nga mediat kosovare të orëve të para të procesit zgjedhor.

Ora 08:37
Zgjedhjet në Kosovë, qendrat e votimit hapen pa incidente, pjesëmarrje e ulët në shumicën e komunave

Qendrat e votimit janë hapur sipas orarit në mbarë Kosovën dhe deri tani procesi po zhvillohet pa incidente të raportuara. Nga Prishtina, Gjakova, Peja, Podujeva, Suhareka, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Skenderaj dhe Prizreni burime të Report TV raportojnë për një atmosferë të qetë dhe funksionim normal të vendvotimeve.

Megjithatë, në shumicën e qendrave të votimit është vërejtur interes i ulët i qytetarëve në orët e para të ditës. Në Prizren janë raportuar vonesa të shkurtra deri në 13 minuta në disa vendvotime, ndërsa në Ferizaj një qytetar është ankuar se bashkëshortja e tij, e cila nuk di shkrim e lexim, nuk ka mundur të votojë me asistencë. Në pjesën tjetër të vendit, menaxherët e qendrave të votimit kanë bërë të ditur se procesi po zhvillohet normalisht dhe pa probleme

Ora 06:58
Zgjedhjet në Kosovë, hapen qendrat e votimit, kreu i KQZ-së bën thirrje për pjesëmarrje masive

Procesi i votimit ka nisur zyrtarisht në mbarë Kosovën, ku qendrat e votimit u hapën në orën 07:00. Pas hedhjes së votës së tij, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Ai ftoi votuesit të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Ora 06:46
Si funksionon votimi me kusht në Kosovë? Qytetarët mund të votojnë edhe jashtë vendvotimit të tyre

Në zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Kosovë, qytetarët që për arsye të ndryshme nuk mund të paraqiten në vendvotimin e tyre të rregullt kanë mundësi të votojnë me kusht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 38 qendra të tilla, nga një në secilën komunë të vendit.

Sipas rregullave të KQZ-së, votimi me kusht lejohet vetëm për personat që figurojnë në listën e votuesve, por nuk ndodhen në qendrën ku janë të regjistruar. Për shkak se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, qytetarët mund të votojnë në cilëndo nga këto qendra të posaçme pa humbur të drejtën e votës.

Votat me kusht nuk numërohen menjëherë në vendvotim si votat e zakonshme. Ato dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku verifikohen dhe numërohen disa ditë pas zgjedhjeve, për të shmangur çdo mundësi votimi të dyfishtë.

Për zgjedhjet e sotme, KQZ ka hapur 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa 38 prej tyre janë të dedikuara për votimin me kusht.

Ora 06:41
Zgjedhjet në Kosovë/ Diaspora votoi masivisht, pjesëmarrja arriti në 80.85% në përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se procesi i votimit ka përfunduar në 26 përfaqësi diplomatike të vendit në 16 shtete, ku nga 27.724 votues të regjistruar kanë votuar 22.414 qytetarë, ose 80.85% e tyre.

Sipas KQZ-së, procesi është zhvilluar pa pengesa të theksuara, ndërsa fletëvotimet e hedhura në ambasada dhe konsullata nuk do të numërohen aty, por do të transportohen në Kosovë për numërim gjatë ditëve në vijim.

Ora 06:39
Sot zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Mbi 2 milionë votues të regjistruar, 22 mijë të rinj votojnë për herë të parë

Mbi 2 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Kosovë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 shtetas, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Nga ky numër, 1.959.962 qytetarë votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit. KQZ bën të ditur se 22.685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Procesi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa diaspora ka votuar një ditë më parë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.