Kosova shpalli këtë të hënë si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Gjatë një mbledhjeje të qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

Ndër të tjera ai shtoi se IRGC është një strukturë që përdor dhunën e organizuar dhe terrorizmin si instrument të politikës së jashtme.

“Ky propozim-vendim paraqet bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste në Republikën e Kosovës. IRGC është identifikuar si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global. Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Është një pozicionim i qartë i Kosovës krah aleatëve të saj strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, tha Kurti.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale. Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë më 17 mars vendi ynë shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Rezoluta e propozuar nga PS u miratua me 79 vota pro dhe 1 abstenim,gjatë seancës plenare ku thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.

Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare.