Shqetësimi që ka paraqitur vazhdimisht presidenti serb Aleksandar Vuçiç lidhur me marrëveshjen e sigurisë së vulosur kohë më parë mes saj, Shqipërisë dhe Kosovës, nuk e bind aspak Kroacinë.
Ministria kroate e mbrojtjes përcolli hapur bindjen e saj se marrëveshja trepalëshe po keqinterpretohet qëllimisht nga Beogradi. Zyrtarët e Zagrebit kanë theksuar se ministri Ivan Anushic e ka sqaruar se dokumenti nuk ka të bëjë me aktivitete luftarake, por shërben si një kornizë bashkëpunimi teknik, shkëmbim dijesh dhe koordinim mes industrive të mbrojtjes për stabilitetin rajonal.
Në deklaratën e ministrisë kujtohet gjithashtu pakti i vitit 2010 mes Serbisë dhe Kroacisë, duke vënë në dukje se presidenti serb qëllimisht nuk po e përmend këtë dokument, i cili është më gjithëpërfshirës dhe më i detajuar se deklarata trepalëshe Kroaci-Shqipëri-Kosovë. Ministria sqaroi për mediat në Prishtinë se “aktivitetet e tyre janë të fokusuara thjesht në mbështetjen e rrugës së Shqipërisë dhe Kosovës drejt institucioneve europiane dhe transatlantike.”
Ajo theksoi gjithashtu se Kroacia, si anëtare sovrane e NATO-s dhe BE-së, ndjek politikën e saj të pavarur dhe mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit transparent rajonal. Sa i përket paralajmërimeve të Vuçic për armatosje të mëtejshme të Serbisë, Ivan Anushic e ka bërë të qartë se vend i tij nuk shqetësohet aspak nga të tilla deklarata.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në mars të vitit 2025, Shqipëria-Kosova-Kroacia do të bashkëpunojnë në 4 fusha kryesore: promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Pakti i mbrojtjes thotë se të tre shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ndërkohë Serbia e konsideron atë një "aleancë ushtarake kundër Serbëve".
Komente










