Presidenti Ilir Meta ka komentuar zgjedhjet në Kosovë, ku dhe ka bërë një krahasim me situatën politike në Shqipëri. Sipas tij, është sistemi zgjedhor me lista të hapura ai që i jep mundësi qytetarëve që të zgjedhin midis shumë kandidatëve për deputetë, e ndërsa në Shqipëri nuk ndodh një gjë e tillë.
"Zgjedhjet në Kosovë ishin si në Danimarkë. Lidershipi politik këtu e ka bërë të vështirë për shqiptarët jo se shqiptarët nuk duan zgjedhje të rregullta. Por në Kosovë kanë sistem elektoral me lista të hapura, pra voton edhe partinë por edhe kandidatin. Kryetari i Partisë mund të të mos preferojë dhe të lë në fund por të zgjedh populli. LDK-ja dëgjoi reagimin nga qytetarët dhe vendosi si kandidate për kryeministër Vjosa Osmanin e cila ishte e 87 në listën e kaluar por doli e dytë, pasi ishte kritike ndaj disa politikave dhe qytetarët e mbështetën.
Ka një meritë sistemi pasi i jep mundësi qytetarëve dhe i vendos partitë nën presion për të zgjedhur njerëzit e duhur. Këtu kushtetuta e 98’ u bë që mos përsëritej 1996- 1997 që solli një situatë kaosi dhe në vitin 2008 ajo që ndodhi me lista të mbyllura për të cilat ne nuk ishim gati. Ne nuk i kemi partitë ‘’demokratike’’ dhe nuk kemi kulturë të konsoliduar demokratike. Që atëherë partitë u mbyllën më shumë. Deputetët nuk bëjnë oponencë apo shprehin mendim personal pasi e dinë që vendi i tyre nuk varet nga reagimi qytetar por nga partia dhe pozicioni i tij si kandidat varet nga forca që ka partia në zonën përkatëse.
Në Kosovë për 5 raste fotografimi të votës Prokuroria dhe Policia reagoi menjëherë në mënyrë të shpejtë. Haradinaj ka meritë që i hapi rrugë këtij ndryshimi pasi kishte bërë një koalicion të vështirë për të ecur përpara. Sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, ne nuk na përket të ndërhyjmë pasi është cenim i sovranitetit të institucioneve të Kosovës dhe na mbetet vetëm ta mbështesim.
Nuk besoja se Vetëvendosja do ishte fituese edhe pse e dija se do ishte garë e fortë. Ka marrë një goditje të fortë në imazhin ndërkombëtar kur iu shkëput gjysma e grupit parlamentar siç ishte kryetari i Bashkisë Prishtinë. I mbijetoi një goditje të tillë dhe investimi për t’u ringritur është shumë i vështirë pasi ec kundër erës. Albin Kurti është njeri me potencial të madh politik", tha Meta.
Lajmi kryesor: