PRISHTINË - Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan të enjten në orën 20:45 kundër Islandës në fushën e saj, për play-off e Ligës së Kombeve.
Në seancën stërvitore të mbajtur dje në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, trajneri Franco Foda ka vënë theksin te aspekti taktik, duke punuar me ekipin në vendosjen në fushë dhe organizimin e lojës në të dyja fazat.
Stafin teknik e shqetëson gjendja e Amir Rrahmanit dhe e Valon Berishës. Kapiteni Amir Rrahmani ka vijuar përgatitjet individuale për shkak të një lëndimi të pësuar të dielën para grumbullimit të ekipit me skuadrën e Napolit. Ai ka kryer një pjesë të stërvitjes me grupin, por më pas është stërvitur i diferencuar.

Edhe mesfushori Valon Berisha ka ndjerë një shqetësim të vogël dhe është stërvitur i diferencuar. Berisha sipas të gjitha gjasave do të jetë i gatshëm për stërvitjen tjetër.
Ndeshjen e kthimit kundër Islandës ekipi i Kosovës do e zhvillojë më 23 mars në Murcia të Spanjës.
Komente

