I gjithë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje që prej themelimit ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Paradoksalisht LVV aktualisht në pushtet, ka njoftuar sot se nuk e sheh si zgjidhje reciprocitetin me Serbinë.
Para se ai të drejtonte vendin, reciprociteti ishte premtimi më i përsëritur i tij, jo rrallëherë duke siguruar të gjithë se sapo të ulet në postin e kreut të kabinetit ai do të gjente një zgjidhje për këtë problem.
Por deklarata e sotme e Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tregoi haptazi se prioriteti I qeverisë Kurti ka ndryshuar totalisht.
Ajo deklaroi sot se nuk ka dashur që të vendosë menjëherë reciprocitetin me Serbinë por të shfrytëzojë mekanizmat rajonalë që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes dy vendeve.
Hajdari tha se si ministre qëllimi është që të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të zgjidhë problemet, pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë vendin. Sipas saj, Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativat rajonale prandaj kërkoi edhe mbështetjen e odave prezente në këtë konferencë.
“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë në iniciativa rajonale, Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari.
Hajdari deklaroi se bashkëpunimi ekonomik është qëllim i të gjitha vendeve të rajonit prandaj shtoi se inicimi i këtij bashkëpunimi në disa fusha si turizmi do të ishte pikënisje e mirë. Këto deklarata ministrja Hajdari i bëri gjatë konferencës rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” të organizuar nga Oda e Tregtisë të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës.