Kosovarët edhe këtë verë me viza
drejt Europës,shtyhet vendimi

Kosovarët edhe këtë verë me viza<br />drejt Europës,shtyhet vendimi
Shpresat e Kosovës dhe Gjeorgjisë, që Bashkimi Europian t’u aprovojë lëvizjen pa viza gjatë kësaj vere kanë marrë një godjtje, pasi vendimi është shtyrë për shkak të disa shqetësimeve të reja që janë ngritur nga shtetet anëtare. Gjermania ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me krimin e organizuar të bandave gjeorgjiane, ndërsa ndikim ka edhe rritja e frikës nga terrorizmi, siç bën të ditur “Koha.net”.

“The Wall Street Journal” raporton se zyrtarët e BE-së kanë thënë se, shtatori është koha më e hershme që BE-ja dhe Parlamenti Europian mund të arrijnë marrëveshje për heqjen e vizave për miliona qytetarë të këtyre shteteve.
Në javët e kaluara, Komisioni Europian kishte rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, Turqinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Megjithatë, 28 shtetet anëtare të BE-së dështuan të marrin mbështetjen e duhur për Gjeorgjinë, vendim që ky vend është duke e pritur që nga dhjetori.

Në anën tjetër, Italia dhe Franca kanë kërkuar që të pritet miratimi i rregullave të reja, të cilat lehtësojnë pezullimin e lëvizjes pa viza në rast të abuzimit. Ndërsa këto ndryshime pritet të bëhen në shtator.
“Brukseli nuk ka më arsye për shtyrje. Kosova nuk duhet të jetë peng i ndonjë mosmarrëveshjeje ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë. Ne kemi përmbushur detyrat tona”, është shprehur Thaçi për “Wall Street Journal”.
 
EUELEX
Për shkak të dështimit të institucioneve në Kosovë që të vendosin rend dhe ligj, EULEX-it duhet t’i vazhdohet mandati. Kështu kanë deklaruar dy krerët e subjekteve opozitare, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën. Haradinaj tha se, vazhdimi i misionit të EULEX-it në Kosovë vjen si pasojë e dështimit të institucioneve të drejtësisë në vend. “EULEX nuk ka ardhur si një mision i përhershëm, por si mision i përkohshëm. Mandati i tij dyvjeçar ka qenë gjithmonë i rinegocueshëm, me qëllim për ta përmbyllur. Por tani ka një qëndrim ndryshe, vazhdimi i mandatit kuptohet me kufizime shtesë, mirëpo e tëra kjo vjen nga dështimi i institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj. Mungesa e kapaciteteve të Kosovës e kanë bërë të pashmangshme këtë. EULEX duhet të jetë i angazhuar në të gjithë Kosovën, kuptohet edhe në veri, dhe ne e dimë që atje ka mungesë të respektimit të rendit dhe ligjit”, tha Haradinaj.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se EULEX-i është i nevojshëm në Kosovë. “Besoj që po, natyrisht me një kapacitet të ndryshëm. Nuk e di se çfarë kanë negociuar, por që është i nevojshëm, besoj që është. Vet fakti i gjendjes në këtë vend tregon se në çfarë situate jemi. Imagjinoni kur një Gjykatë Kushtetuese i vlerëson dhe i karakterizon gjykatësit si rrugaçë, kjo tregon më së miri ku jemi”, tha ai.
Lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it ka komentuar edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti. Ai tha se EULEX është Europa, ku edhe po përpiqemi të hyjmë, dhe se me vazhdimin e mandatit të tij nuk duhet të ketë frikë askush.


Lidhja e Prizrenit
Në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka quajtur atë, si projektin e lindjes së Shqipërisë. Ymeri tha gjithashtu se ky projekt mbetet frymëzim i politikës shqiptare dhe çdo rrymë politike jo në përputhje me atë, i përket një projekti jo shqiptar. “Prej këtij themeli, projekti ynë është shënuar nga nevoja për t’u vetëmbrojtur, e për t’u paraqitur në mënyrë dinjitoze përballë vendimeve ndërkombëtare, që nuk i marrin parasysh pozitat tona ekzistenciale dhe politike”, thuhet në deklaratën e Ymerit me rastin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Sipas Ymerit, kjo paraqitje dinjitoze e jona ndërkombëtarisht ka qenë e nevojshme dikur, është e nevojshme sot, dhe do të jetë e nevojshme gjithnjë. “Dinjiteti ynë nuk do të thotë armiqësim. Do të thotë mospranim i të qenit thjesht ‘shprehje gjeografike’ dhe afirmim i vetvetes sonë kombëtare si kolektiv politik, sigurisht jo ekskluziv, jo organik e romantik, por tërësisht modern e demokratik. Mbetemi të përkushtuar ndaj asaj që themeloi Lidhja, e i kujtojmë me respekt e mirënjohje të gjithë veprimtarët, që në dekada kanë dhënë aq shumë për këtë projekt, prej Abdyl Frashërit, e deri te miliona shqiptarë që sot, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive kulturore e fetare, i mbeten besnikë projektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, thuhet në deklaratën e Ymerit.


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid