BRITANI - Një refugjat kosovar në Britaninë e Madhe i është bashkuar trupave ushtarake mbretërore. Arben Islami ishte vetëm 14 vjeç kur në vitin 1999 trupat britanike si pjesë NATO-s hynë në Kosovë për t'i dhënë fund persekutimit të shqiptarëve të Kosovës nga Millosheviç.

Arbeni emigroi drejt Britanisë së Madhe në korrik të vitit 2012 dhe ai tani i është bashkuar trupave Mbretërore si rezervist.

"Kur isha fëmijë dhe pashë marinsat në Kosovë doja të bëhesha një prej tyre. Pastaj unë ika dhe erdha në Britaninë e Madhe. Doja ti bashkohesha ushtrisë dhe ti ktheja nderin shtetit që më ndihmoi aq shumë", tregon 28-vjeçari për gazetën britanike Express.

Që prej vitit 2012 kur shkoi në Angli, Arbeni nuk është kthyer në Kosovë, dhe siç pohon Express nuk ka plane për t'u kthyer.

Megjithatë, edhe pse i është bashkuar forcave Mbretërore, ai është vetëm një rezervist dhe jo një ushtar me kohë të plotë. Pjesën tjetër të ditës, ai punon si murator.

Kosovari e quan nder që është pjesë e trupave ushtarake. "Është një privilegj i madh, sidomos për mua që vij nga një vend tjetër, që t'i bashkohem marinsave Mbretërorë sepse ata janë një nga forcat më të mira në botë", pohon 28-vjeçari.


(v.gj/shqiptarja.com)