Durrës- Tentoi të hynte në Shqipëri me dokumente identifikimi false, arrestohet në Portin e Durrësit 25-vjeçari nga Kosova që kërkohej për dy vepra, për drogë dhe plagosje.

I ndaluari është Sh.M., ndërsa iu sekuestruan pasaporta dhe karta e identitetit, të dyshuara të falsifikuara.

“Si rezultat i shtimit të kontrolleve, verifikimeve dhe intervistimeve, në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin e paligjshmërive dhe ndalimin e shtetasve që synojnë të levizin ilegalisht, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit vunë në pranga, në hyrje të Shqipërisë, shtetasin kosovar, Sh. M., 25 vjeç”, bëri me dije policia vendore.

I riu ka paraqitur në sportel një pasaportë dhe një kartë identiteti, të dyshuara false, me gjenealitete të tjera.

“Nga verifikimet dhe shkëmbimi i informacionit me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, rezultoi se 25-vjeçari ishte në kërkim nga Gjykata e Mitrovicës, për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe për plagosje të lehtë”, sqaroi më tej policia.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, me qëllim ekstradimin e tij.