/ATSH/.- Në liqenin e Badovcit në Kosovë u përurua sot fillimi i punimeve për ndërtimin e impianitit të ri për përpunimin e ujërave të
zeza, një investim prej 1.5 milion euro i Republikës së Çekisë në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se "ky bashkëpunim është shpresë që edhe në të ardhmen, problemet e shumta mjedisore me të cilat ballafaqohet Kosova, do të adresohen më mënyrë gjithëpërfshirëse".
"Rëndësia e këtij projekti është e shumëfishtë edhe në aspektin e drejtpërdrejtë të sigurimit cilësor të ujit të pijshëm të Liqenit të Badovcit. Me këtë projekt do të arrijmë që ujërat e zeza të shndërrohen praktikisht në ujëra, të cilat nuk do të përmbajnë asnjë lëndë helmuese për jetën e gjallë në Liqenin e Badovcit dhe për ujin e pijshëm që marrim nga ky liqen".
Sipas Aganit, ky projekt është një dëshmi se edhe institucionet qendrore edhe ato lokale, edhe vet komuniteti dhe banorët janë të vetëdijshëm për këtë rëndësi.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se "për ne është shumë me rëndësi që kanalizimet, apo ujërat e zeza, të cilat kanë ardhur në Liqenin e Badovcit, të trajtohen. Ky projekt do të përmirësojë cilësinë e ujit të cilin ne e marrim në komunën e Prishtinës".
Sipas tij, menaxhimin e këtij impianti, pas ndërtimit, do ta marrë Ujësjellësi "Prishtina".
Ambasadori i Republikës Çeke, Ivo Silhavy, tha se përmes këtij projekti duam të ndihmojnë kosovarët drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës.
Projekti për ndërtimin e impiantit, përmes së cilit do të bëhet pastrimi i ujërave të zeza që deri tani janë derdhur në Liqenin e Badovcit, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm./KosovaPress/