Kosovë- 16 vjet nga maskra në Reçak, nderohen martirët e lirisë e pavarësisë

/ATSH/.- Në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, në Kosovë, sot do të bëhen homazhe për martirët e lirisë dhe pavarësisë, të rënë në masakrën e forcave serbe para 16 vitesh, e cila tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.

Në përkujtim të kësaj masakre të ndodhur në 15 janar të vitit 1999, ku u vranë mbi 45 civilë shqiptarë, do të bëjnë homazhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Millosheviçit. Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëherë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çfarë do t'i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orëshe mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t'i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullsinë civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës./KosovaPress/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?