PRISHTINË, 14 Shkurt /ATSH-B. Jashari/.-Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" shënon 45 vjetorin e themelimit të vlerësuar si ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithe kombin shqiptar.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët - në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt,dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në ceremoninë solemne theksoi se, "45 vjet të Universitetit të Prishtinës janë 45 vjet të historisë së Kosovës". "Universiteti i Prishtinës u themelua 45 vite me parë si një element i një revolucioni kulturor, si një fillim i një emancipimi kulturor dhe faktorizimi të shqiptarëve për t'u shndërruar në një vatër të edukimit, por edhe të rezistencës kombëtare", tha ai.
Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, tha se, "sot jemi këtu për të shënuar 45 vjet të punës së Universitetit të Prishtinës, si dhe për të shprehur mirënjohje për të gjithë ata që dhanë kontributin e vet për ngritjen e këtij institucioni".
Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" ka shënuar 45 vjetorin e themelimit me një mbledhje solemne të Senatit, ku edhe u ndanë mirënjohje për 28 studentët më të dalluar.
Kosova shtet i pavarur nga 17 shkurti historik 2008, ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera. /a.ke/












