PRISHTINË, 11 Shkurt/ATSH/.- Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e vlerësoi sot si të domosdoshme transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë së Kosovës për marrëveshjen e arritur mbi drejtësinë, më 9 shkurt 2015, midis Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.
"I bëjmë thirrje Kryeministrit Mustafa që të ndërpresë praktikat e deritanishme, të vendosura nga ish-kryeministri Thaçi, tashmë zëvendës i Mustafës në qeveri, duke bërë njoftimet për qytetarët e Kosovës vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Aleanca konsideron se mungesa e diskutimit paraprak dhe konsultimeve më të gjera me partitë politike dhe ekspertët e pavarur, për marrëveshje të tilla, sidomos të kësaj të fundit për drejtësinë, nuk i kontribuon qartësisë dhe vendosmërisë për mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës dhe të rendit kushtetues", thuhet në një komunikatë të AAK-së.
Aleanca pret nga Kryeministri Mustafa dhe delegacioni i qeverisë së Kosovës në dialogun në Bruksel, që të informojë me saktësi dhe në detaje opinionin publik, partitë politike dhe qytetarët e Kosovës.
"Mungesa e informacioneve të detajuara në këtë proces të ndjeshëm, i vendosë në pozicion të pafavorshëm partitë politike dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke mos qenë të informuar dhe as të konsultuar për çështjet që dialogohen dhe për marrëveshjet që nënshkruhen midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të reduktohet në një temë të domosdoshme, që është njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Duke e vendosur këtë temë të procesit në Bruksel, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë t'i normalizojnë raportet dhe të ndërtojnë fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon", thuhet në komunikatë./Kosovapress/k.s/