/ATSH/.- "Qëndrimi ynë është i qartë, Gjermania nuk i pranon kërkesat për azil të asnjë qytetari kosovar", theksoi mbremjen e djeshme ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa.
Gjatë kësaj vizite në Ferizaj ambasadorja Viets është shoqëruar edhe nga ministrja e shtetit të Baden Wutenbergut, Silke Krebs, dhe ministri për çështje federale, evropiane e ndërkombëtare Peter Friedrich. Ministrja Krebs, vizitën e saj këtu e ka lidhur pikërisht me migrimin e kosovarëve në shtetin gjerman.
"E di që është e vështirë ta ndërtosh një shtet nga zeroja. Qeveria e re, e ka kuptuar shumë qartë arsyet që po i shtyn njerëzit me këto lëvizje dhe janë të gatshëm për marrjen e masave për kosovarët. Nuk është zgjidhje që të ikësh, duhesh t'i përmbledhësh të gjitha forcat dhe të përvishemi punës për ta ndërtuar atë shtet që keni pasur dëshirë ta keni", u shpreh ambasadorja Viets.
Ndërsa ministrja Krebs tha se "ne kemi ardhur që të tregojmë se neve po na ngushtohet vendi dhe nuk kemi vend për mirëpritje, për azilkërkuesit dhe faktikisht duam të shprehim qartë se kërkesat për azil nuk pranohen në Gjermani, për aq sa nuk ekziston arsyeja për përndjekjeje e cila është arsyeja kryesore për njohjen e azilit. Ne po ashtu erdhëm të shohim se sa po ndikon kjo ikje edhe në ekonomi e vendit tuaj, sa po shkatërrohet ajo".
Edhe ministri, Peter Friedrich, u shpreh se rruga e azilit nuk është zgjidhje, sepse sipas tij të largohesh nga vendi nuk është përfundimi i problemeve.
"Rruga e ardhme e Kosovës është drejt Evropës dhe Kosova ka një vend atje prandaj jemi të lumtur që e diskutuam këtë dhe të bashkëpunojmë dhe ta marrim këtë rrugë bashkërisht drejt Evropës, kjo rrugë do të arrihet përmes bashkëpunimeve të përbashkëta", theksoi Friedrich.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, u shpreh se "gjatë takimit biseduam për marrjen e të gjitha masave për ndalimin e kësaj dukurie duke përfshirë këtu edhe mundësinë për punësimin sezonal të qytetarëve tanë në Gjermani".
Në këtë takim u diskutuan edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit në sfera të ndryshme./Kosovapress/