PRISHTINË, 13 Shkurt /ATSH/.- Kryetari i Forumit Rinor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Armend Ibrahimi, është emëruar këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Ibrahimi, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku shkruan se "ju njoftoj se prej sot, edhe zyrtarisht do të shërbej si Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Do të përpiqem maksimalisht që me gjithë çfarë mundem dhe aq sa di, të jap kontributin tim në përmirësimin e jetës së qytetarit të Kosovës, veçanërisht të të rinjve, komunitet shumë vital, i madh dhe i jashtëzakonshëm, pjesë e të cilit jam edhe vet (Por që sot komuniteti rinor përballet me diskriminim në shumë forma e dimensione; mungesa e arsimit cilësor, mungesa e lëvizjes së lirë, mungesa e mundësisë për të punuar e shumë të tjera, të cilat i shoh sfida reale për mua dhe gjithë shoqërinë kosovare)".
Ibrahimi shpreh gatshmërinë që të ofrojë bashkëpunimin e tij të plotë, organizatave të nxënësve, Këshillëve të Nxënësve, studentëve, organizatave jo-qeveritare, institucioneve, grupeve jo-formale, mediave dhe veçanërisht siç shkruan ai, qytetarit të pavarur me iniciativë individuale.
"Jam i bindur se besueshmëria në institucione nuk ndërtohet ndryshe. Jam i bindur sot dhe do të jem gjithmonë, se zëri i të rinjve është zë i qartë, i fuqishëm dhe i arsyeshëm, prandaj me ndihmën e Zotit do të përkushtohem maksimalisht që ai të dëgjohet, se një gjë e tillë është plotësisht e merituar", ka shkruar Ibrahimi në Facebook./KosovaPress/k.s/